“Elektra” e Sofokliut me regji nga Kiço Londo, të hënën më 4 mars në sallën “Margarita Tutulani” të Beratit

0
83

“Elektra” erdhi si premiera e parë teatrore këtë vit e Teatrit Shëtitës “Çajupi”, por po vijon rrugëtimin me sukses në skenat tona. “Elektra” e Sofokliut me regji nga Kiço Londo mbrëmjen e së hënës në datën 4 mars do të jetë në Berat. Me një kast aktorësh të zgjedhur, “Elektra” do të shfaqet në sallën “Margarita Tutulani”. Në role janë Laura Nezha, Alert Çeloaliaj, Gladiola Harizaj, Denisa Demaj, Engjëll Hoxha, Gert Ferra, Kevin Rrapaj, Medi Gurra, Asiana Koka, Melisa Manuka, Suela Prendi, Greta Baci. Përkthimi i veprës është nga Loreta Pleqi. Përtej teatrit, përtej letërsisë, përtej hakmarrjes “Elektra” e Teatrit Shëtitës synon të flasë për një shoqëri ku gjërat janë përmbysur keq dhe në mënyrë të rrezikshme. Bota e krimit dhe korrupsionit është një vend i turbullt, i paqartë, për të cilin ne të vdekshmit kemi natyrshëm dyshime dhe frikë. Kjo paqartësi është shfrytëzuar në mënyrë të përsëritur në shfaqjen “Elektra” e Sofokliut, të Teatrit Shëtitës, për të paraqitur personazhe që përjetojnë një gamë të gjerë emocionesh dhe për të theksuar ironinë e situatës së tyre. Me “Elektrën”, Teatri Shëtitës “Çajupi”  bashkon botën reale me mitologjinë greke. Por “Elektra” është një shfaqje që nuk duhet humbur. Aktorë të shkëlqyer! Ritëm i stuhishëm! Interpretime të mrekullueshme nga të gjithë aktorët! Rezultat i një pune jashtëzakonisht të aftë dhe me përvojë! Një skenografi mbresëlënëse dhe kostume të jashtëzakonshme.

Rrugëtimi i “Elektrës”

“Elektra” me regji nga Kiço Londo nisi rrugëtimin nga teatri i qytetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, për të vijuar më pas në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Në skena “Elektra” është shfaqur me sallën plot me publik. Duartrokitjet e gjata të spektatorit në fund të shfaqjeve konfirmuan ndjeshmërinë ndaj shfaqjes, e cila kulmon me lojën moderne dhe goditëse të aktorëve. “Elektra” shkruar nga Sofokliu, konsiderohet si një nga tragjeditë më të mëdha greke, një nga kryeveprat e të gjitha kohërave. Me shfaqjen “Elektra”, regjisori Londo pohoi më herët se edhe njëherë u konfirmua  fuqia e madhe që ka teatri. Për aktoren Laura Nezha, tragjeditë në vetvete janë të vështira dhe sipas saj është përgjegjësi e madhe t’i luash. “Elektra ka mjaft karakteristika për t’u admiruar. Është një luftarake e padorëzuar deri në fund. Ajo jeton për hakmarrjen e saj dhe e realizon duke vënë drejtësi”, ka pohuar më parë aktorja Laura Nezha në media. Shfaqja do të lëvizë nëpër rrugën Egnatia që lidhte Romën me Lindjen. Filloi me Durrësin si porta hyrëse e rrugës Egnatia dhe do të mbarojë me Kostandinopojën në Selanik e Athinë. Sofokliu, ishte një dramaturg që jetoi në Greqinë e Lashtë gjatë shekullit V-të Para Krishtit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here