Dokumentari për Bekim Fehmiun do të shfaqet edhe në Prizren. Pas premierës më parë në Tiranë këtë mbrëmje dokumentari i gjatë artistik kushtuar figurës së aktorit të madh Bekim Fehmiu shfaqet premierë në kinema Cineplexx Prizren. Dokumentari prej 66 minutash i xhiruar në gjashtë shtete është me regji nga Valmir Tertini dhe skenar të Fahri Musliut. Pas Prizrenit në Kosovë, filmi do të shfaqet dhe në Prishtinë, Beograd, Romë e New York. Ky dokumentar është xhiruar në gjashtë shtete; Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Itali. Në Tiranë dokumentari me regji nga Valmir Tertini, prodhim i shtëpisë kinematografike “Cinemania” me producent Jaklid Gace u shfaq më 21 shtator në kinema “Millenium”. Për gazetën “SOT” regjisori Valmir Tertini më parë ka treguar për punën që është bërë për realizimin e dokumentarit kushtuar aktorit të madh. Tertini u shpreh se dokumentari “Bekim Fehmiu” është rrëfimi më adekuat i një aktori të keqkuptuar, pra është e vërteta e tij nga faktet vizive, fjalët e tij, shpjegimet e të afërmve e deri tek pikëpyetjet e krijuara ndër vitesh. Në dokumentar rrëfehen shumë figura të njohura, vëllai i tij tregon rrënjët e familjes, Bekimin si fëmijë, si student e deri tek kulmi i tij prej një aktori të njohur ndërkombëtarisht. Bashkëshortja Branka Petriq për dashurinë, për karakterin e tij përkushtimin, ajo qan, qesh e këndon në dy rrëfime ekskluzive njëherë me të folur e pastaj, duke treguar sendet e Bekimit në valixhe. Eleonora Giorgi tregon prapaskenat e xhirimeve, por na bën dhe të dyshojmë paksa. Pastaj kolegët rrëfehen për momente specifike si Timo Flloko, Piro Milkani, Enver Petrovci, Goran Markovic, Roza Anagnosti, Milazim Salihu, etj. Dokumentari “Bekim Fehmiu” në Tiranë u përcoll me shumë interes nga të pranishmit, ku nuk mungonin dhe adhurues të aktorit të madh që vinin nga shtete të tjera. Bekim Fehmiu ishte një aktor shqiptar nga Kosova. Lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936 dhe vdiq më 15 qershor 2010 në Beograd, Serbi. Ky film dokumentar është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.