Basketbolli shqiptar vijon të jetë ende larg pritshmërive në arenën ndërkombëtare. Sado që është bërë progres në basketbollin e meshkujve me ekipet e moshave dhe ka një optimizëm në rritje falë rezultateve përmirësuese në disa kategori, sërish përfaqësuesja e madhe nuk është e përgatitur për të bërë hapin e madh drejt një tjetër niveli, që do ta bënte basketbollin tonë konkurrues. Dje shtatlartët kuqezi luajtën ndeshjen ndaj Sllovakisë, në transfertë, në kuadër të grupit I, për paraeliminatore e Kampionatit Europian të vitit 2025. Ishte një ndeshje e balancuar në periodën e parë, por më pas sllovakët bënë diferencën dhe e fituan ndeshjen me rezultatin e thellë 86-63, pra me 23 pikë diferencë. Natyrisht që skuadra shqiptare nuk e meritonte një humbje kaq të thellë po të mendohet volumi i lojës dhe cilësia e grupit, por në duele të këtyre niveleve me lojtarët duhet punuar më fortë edhe në aspektin psikologjik. Nga kualiteti, dëshmohet se në gjuajtjet për tri pikë, skuadra jonë ishte cilësisht më mirë se kundërshtari, kurse në gjuajtjet për dy pikë dominonin sllovakët, gjë që dëshmon se ata kanë bërë lojë më efektive në zonë të ngushtë dhe në skemat taktike. Kjo është humbja e dytë brenda javës, pasi të mërkurën e kaluar Shqipëria e koshit humbi në Tiranë ndaj Rumanisë 83-87. Në ditët në vijim Shqipëria do të luajë sërish me këto dy skuadra, për të plotësuar kalendarin, ndërkohë që ekipi favorit për tu kualifikuar është Rumania. Dueli i kuqezinjve me Rumaninë luhet më 29 korrik në transfertë, kurse dueli i kthimit me sllovakët më 5 gusht.
Pasqyra e ndeshjes
Kuqezinjtë e koshit e nisën mirë takimin, duke rivalizuar fort veçanërisht në 10-minutëshin e parë, që mbyllet me rezultatin 30-27 për vendasit. Në periodën e dytë sllovakët e thelluan diferencën, falë sulmeve të shpejta dhe efikase, duke e fituar këtë 10-minutësh me shifrat 16-10 dhe duke bërë që pjesa e parë e ndeshjes të mbyllet me rezultatin 46-37. Por goditja më e rëndë skuadrës tonë do t’i jepej në periodën e tretë, ku vendasit do të fitonin 19-3, një goditje e rëndë për kuqezinjtë që ranë moralisht. Në periodën e fundit loja u balancuar dhe tanët fituan 23-21, por pa mundur të ndryshonin fatin e takimit, i cili u fitua 86-63 nga Sllovakia.
Kosova humbet në minutën e fundit
Ndërkohë, Kosova që luan në grupin H, bëri një ndeshje spektakolare dje ndaj Danimarkës, në transfertë, por nuk ia doli të fitonte. Kosovarët ishin “majë më majë” me danezët, por këta të fundit arritën në minutën e fundit ta fitonin ndeshjen 82-75. Në fakt, danezët e nisën me vrull të madh ndeshjen dhe shkuan deri në 210 pikë përpara, por në mesin e takimit, kur ishin mbyllur dy periodat e para, Kosova iu afrua me vetëm një pikë diferencë. Në dy periodat e tjera loja ishte e barabartë me një epërsi të lehtë të vendasve. Por diferenca ndodhi në minutën e fundit, ku kosovarët gabuan dy herë rresht të shënonin, kurse danezët u treguan të saktë në veprimet e tyre dhe rrjedhimisht fituan 82-75, një fitore e madhe për ta, kurse për Kosovën ishte zhgënjyese, sepse mund edhe ta kishin fituar duelin. Në grupin H, përveç Kosovës e Danimarkës bën pjesë edhe Zvicra