Të hënën do të zbresë në fushë derbi i madh i kryeqytetit Partizani-Tirana, në kuadër të xhiros së 24-t të Kategorisë Superiore. duket qartë nga objektivat që kanë shpalosur vetë klubet se Partizani sfidon Tiranën me synimin për të fituar e kapur bardheblutë në krye të renditjes. Pikët maksimale do tentojnë edhe kampionët në fuqi, të cilët kryesojnë me tri pikë më shumë se “Demat”. Partizani vjen si pritës në këtë sfidë, që është vendosur të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Në fakt, ky derbi do të jetë shumë i rëndësishëm dhe e pranojnë drejtuesit e të dy klubeve. Kuptohet, Tirana ndodhet në një moment më të mirë, pasi vjen nga fitorja në Kupë dhe me një grup të konsoliduar, plus që është në vend të parë, e shkëputur me tri pikë nga të kuqtë. “Demat” nga ana e tyre vijnë me tension në këtë duel, jo vetëm pse janë sfidantë, por po kalojnë një krizë besimi qoftë si lojtarë ashtu dhe si staf, plus që humbën duelin e parë me Vllazninë në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, një humbje 3-1 në Shkodër që zbuloi problemet e skuadrës.
Njoftimi i Partizanit
Ka qenë vetë klubi i kuq që e ka dhënë këtë vendim nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të klubit në rrjetin social “facebook”. Në fakt, vendimi ishte i pritshëm, për shkak të kërkesave dhe imazhit që ka derbi, plus marrëveshjes trepalëshe Partizani-Tirana-FSHF. “Klubi zyrtarizon stadiumin “Air Albania” ku do të zhvillohet takimi Partizani-Tirana i vlefshëm për javën e 24 të Kampionatit. Duke parë interesimin e madh të tifozerisë së kuqe për të qenë sa më e shumtë prezent në këtë ndeshje të rëndësishme, klubi ka vendosur që ndeshja derbi të luhet në stadiumin “Air Albania”, shkruan në këtë njoftim klubi i Partizanit. Pra derbi do të luhet në datën dhe orën përkatëse sipas kalendarit, por në stadiumin kombëtar.
Formacioni i Tiranës
Problemi kryesor i trajnerit Orges Shehi është formacioni që do të hedhë në fushën e lojës në ndeshjen me Partizanin. Deri në këto momente Shehi ndeshjet e fundit ka luajtur me katër mbrojtës. Gjithsesi, në këtë sfidë planet do të ndryshojnë. Trajneri është duke menduar që skuadra të ndryshojë modulin e lojës. Kështu, skuadra do të rreshtohet me tre mbrojtës dhe dy sulmues. Tirana pritet që të luajë skemën 3-5-2, ndërsa bardheblutë luajnë me tre mbrojtës, pesë mesfushorë dhe dy sulmues. Në portë si zakonisht do të luajë Visar Bekaj. Rreshtimi do të jetë me tre mbrojtës, duke nisur nga Najdovski, Lulaj dhe Behiratçe. Mesfusha ka ndryshuar e gjitha, duke filluar nga krahu i majtë, ku do të luajë Rimal Haxhiu. Në krahun e djathtë do të luajë Përgjoni. Në mes do të jenë tre lojtarë, Aleksi, Deliu dhe Lushkja. Një alternativë është edhe Hila. Sulmi do të jetë i ndërtuar nga dyshja Hasani-Patrik. Skema 3-5-2 në disa raste ka qenë shumë e suksesshme, duke fituar ndeshje të ndryshme. Në këto kushte, trajneri Orges Shehi pritet të aplikojë këtë skemë. Mungesa e vetme e Tiranës pritet të jetë Kristal Abazaj, i cili është i dëmtuar dhe zor se do të luajë në derbi.








































