Këtë të hënë që shkoi u kremtua 20 shkurti, ditë kur 32 më parë u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha, që zyrtarisht shënoi dhe shembjen e komunizmit në Shqipëri, si vendi i fundit që e kreu këtë akt në pjesën e Europës lindore. Më 20 shkurt të vitit 1991, iu vu kavo bustit të diktatorit komunist të ngritur në mes të sheshit qendror të kryeqytetit, ama sidoqoftë për ish-kreun e Aleancës Demokratike, Neritan Caka edhe pas 32 vitesh ka bërë përparime populli por politika mbetet po e njëjta. Në një intervistë për mediat dje, ish-deputeti Ceka theksoi sot jemi pranë Evropës, por shtoi se ende pas 30 vitesh, është ngritur një monument i dytë i diktatorëve të vegjël. “Natyrisht që jemi shumë larg më shumë se tre dekada krahasuar me vitet e komunizmit, në zhvillimin ekonomik e në tërësi. Në atë kohë ishim në kohë të mjerimit dhe sot jemi në prag të Evropës, ne i mbajtëm premtimet, por jo tamam. Jemi në dyert e Europës dhe anëtarë të NATO dhe ajo që është e rëndësishme është se kemi edhe një shtet tjetër amë që është Kosova e lirë”, deklaroi ai. Më tej zoti Ceka ka patur kritika të mëdha për PD-në dhe për figurat që ende përfaqësojnë opozitën në vendin tonë. Sipas tij, në Shqipëri duhej të ketë riciklim të elitave, ndryshe demokracia nuk do të ekzistojë në thelb. Opozita, nënvizon Ceka duhet të jetë e pranishme, por jo patjetër me drejtues Berishën. “Kemi rrëzuar bustin por kemi ngritur monumentin prej misri, në formën e diktatorëve të vegjël, të fshehur brenda demokracisë dhe këtë e di çdokush. Dje ka qenë jo vetëm dita e rrëzimit të monumentit, por edhe dita kur triumfoi greva e urisë së studentëve. 753 studentë, ku pjesa më e madhe e atyre studentëve që janë në moshën 50 vjeçare, kanë ikur nga Shqipëria me ëndrra të parealizuar. Kemi pak deputet në Kuvend e Shqipërisë, kemi gazetar dhe të tjerë që janë larguar nga skena politike por që edhe e vazhdojnë aktivitetin e tyre. Këtu mungon shpirti i demokracisë, mungon shpirti i rinovimit. Duhet të ishte pjesë e Kushtetutës në Shqipëri që të kishte riciklim të detyruar të elitave, të ishte ajo që ne kemi edhe në Akademinë e Shkencave e kemi që nuk duhet të kesh më shumë se 1 mandat. Të kishin maksimumi me 2 mandate. Kjo na çon me tepër me afër lindjes. Në zgjedhjet e ardhshme, do kemi opozitë po s’duhet të jetë patjetër Berisha”, u shpreh ai. Po ashtu, ish-politikani u shpreh se ngërçi i korrupsionit në vendin tonë nisi qysh në zgjedhjet e 26 majit, kur PD bleu vota, që më pas u kthye në “trend”. “Unë them se ne dimë ta bëjmë demokraci e kemi bërë shumë mirë në vitin 1991 pavarësisht se PD i humbi zgjedhjet, por nuk u vodh asnjë votë. Kulturën e vjedhjes së votave e futi PD me zgjedhjet e 26 majit, duhet t’i kërkojë falje popullit. Ashtu edhe sikurse PS që ndoqi shembullin e saj në disa zgjedhje, asnjë përfaqësues i partisë politike nuk duhet që të numëroj vota dhe këtu ka një faj të madh edhe Europa. Mendoj se largimi sa më parë i OSBE nga Shqipëria është i domosdoshëm që mban këtë sistem të kalbur për interesat e saj”, nënvizoi Ceka.