Enkelejd Alibeaj vazhdon të nxjerrë kandidatë të tjerë nga radhët e Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale të 14 majit, edhe pse ende drejtësia nuk ka vendosur për fatin se kujt i takon vula, logoja dhe drejtimi i partisë. Ditën e djeshme, kreu i PD zyrtare dhe i grupit parlamentar demokrat prezantoi dy kandidatët e fraksionit demokrat që drejton në Lezhë dhe Fier. Mjeku Sandër Marku dhe ekonomistja Eriselda Zotaj (Çelaj) do përfaqësojnë PD zyrtare (“PD e vulës”) në garën për bashkitë e Lezhës dhe Fierit. Deri më tani, PD zyrtare ka prezantuar 11 kandidatë të saj për garën elektorale të 14 majit. Për bashkitë e mëdha të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Shkodrës, Vlorës dhe Korçës, Alibeaj ende nuk ka vendosur se cilët kandidatë do të vendosë. Enigmë mbetet dhe fakti nëse ai vërtet ka 61 emra për të kandiduar në 61 qytete për kryebashkiakë. Ndërkohë, nga ana tjetër, deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj sulmoi ish-kryeministrin Sali Berisha, duke thënë me atë në krye, opozita nuk vjen dot në pushtet. Për deputetin e Durrësit, Berisha po lufton për interesa personale, pasi do të heqë statusin “non grata” nga SHBA. Për Xhaferrajn, revolucioni i thirrur nga Berisha është një koncept i majtë që nuk i shërben PD, parti e qendrës së djathtë.
Profili i 2 kandidatëve të PD zyrtare për Lezhën dhe Fierin
Kandidati i “PD së vulës” në Lezhë, Sandër Marku ushtron prej vitesh profesionin e mjekut specialist për bakteriologjinë. Ai është kualifikuar si ekspert i jashtëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ka kryer trajnime në USAID dhe është specializuar në Universitetin e Montrealit për drejtim dhe menaxhim shëndetësor. Gjithashtu, Sandër Marku është anëtar i Këshillit të Urdhërit të Mjekut për Qarkun Lezhë dhe Anëtar i Këshillit Kombëtar të Urdhërit të Mjekut të Republikës së Shqipërisë. Në aspektin politik, ai është anëtar i PD që në 1996. Në qytetin e Fierit, PD zyrtare garon me ekonomisten Eriselda Zotaj (Çelaj). Ajo aderoi në PD në vitin 2003 dhe është angazhuar me Lidhjen Demokratike të Gruas.
Kandidatët e nxjerrë nga Alibeaj, deri tani 11 emra
Deri tani, “PD e vulës” ka prezantuar publikisht 9 kandidatë në 9 bashki, ndërsa deri më tani janë konfirmuar gjithsej 11 emra që do marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Konkretisht, këta emra janë: Sandër Marku në Lezhë, Eriselda Zotaj në Fier, Naim Gazidede në Dibër, Bilbil Bajraktari në Kamëz, Florian Qama në Poliçan, Sabah Sheta në Krujë, Agron Kapllanaj në Mallakastër, Dritan Sula në Dimal, Ilir Koxhaj në Kuçovë, Klomentina Drini në Vaun e Dejës dhe Pranvera Rizain në Patos.
Xhaferraj kundër Berishës: Na duhet lidership i ri në PD dhe opozitë, lufton për hallin e tij
Në studion e “Report TV”, deputeti demokrat i Durrësit, Ferdinand Xhaferraj u shpreh kundër drejtimit të opozitës nga Berisha dhe kandidimin e tij për kryeministër në zgjedhjet e 2025. Ai përsëriti se PD i duhet një lidership dhe platformë e re politike. Për Xhaferrajn, përmbysja e PS dhe Ramës nga pushteti me revolucion është një parim jo i djathtë, që e shtyn Shqipërinë të bëhet si Rusia. Sipas deputetit të Durrësit, me Berishën në krye, PD nuk e fiton dot pushtetin. “Zgjidhja kërkon një lidership të ri. Duhet një platformë e re. Nuk duhet folur për logjika revolucionesh. Është një kostum që nuk i rri së djathtës. Kush do të na ndihmojë me revolucione ne, jemi vend i NATO-s. S’duhet të kthehemi tek kulturat e majta, pasi i bie të kërkojmë asistencë te vende si Rusia. Duhet një platformë ku të themi se qeveria e nesërme të jetë alternativë për të gjithë qytetarët. Berisha nuk zbret nga kali, por qytetarët po e kuptojnë se është i mirë për të bërë protesta, por nuk i hyn në parakalim kalit të Ramës”, tha fillimisht Xhaferraj. Më tej, ai mbrojti Enkelejd Alibeajn se është kryetar legjitim i grupit parlamentar të PD, duke dalë kundër lëvizjes së “Foltores” së drejtuar nga Sali Berisha për shkarkimin e tij. Po ashtu, Xhaferraj nënvizoi se protestat e vazhdueshme të Berishës bëhen për të fituar popullaritet kombëtar e ndërkombëtar, me qëllim heqjen e statusit “non grata” nga SHBA. Fakti që Berisha lufton për interesat e tij, e pengon opozitën të fitojë zgjedhjet, shprehet Xhaferraj. “E kisha planifikuar që të isha në protestë. Berisha vendosi kushte, duke thënë se kreu i grupit parlamentar nuk pranohet në protestë. Vendosja e kushteve ishte katërcipërisht e papranueshme për mua. Alibeaj mban postin e kryetarit të grupit parlamentar, kemi një grup komunikimi dhe vura re që një pjesë nuk donin. Me Berishën si të parë nuk bëhet. Këtë na ka prodhuar 6 marsi. Pa Berishën nuk bëhet, por edhe me Berishën si të parë nuk bëhet. Duke pasur Berishën si drejtues të kësaj lëvizje nuk jemi alternativë fituese. Kemi një protestë nisur nga halli i tij. Berisha duke bërë këto protesta, dhe bën mirë që i bëjmë, por shqetësimin kryesor e kam se me lidershipin e Berishës nuk kthehemi fitues”,përfundoi deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj.



































