SPAK ka nisur operacion për sekuestrimin e pasurive të Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij mëngjesin e sotëm. Me urdhër të SPAK është kërkuar sekuestrimi i llogarive bankare, pasurive të paluajtshme si truall, makina, apartamente, aksione në kompani.
Dyshohet se këto pasuri vijnë nga aktivitete të paligjshme të biznesmenit të lojërave të fatit, i cili rezulton i zhdukur prej gjashtë muajsh.
Zbarkimi i policisë në shtëpitë e Ervis Martinajt
Policia ka zbarkuar më datë 26 dhjetor 2022, në Fushë Kuqe të Kurbinit, në dy banesa në pronësi të Martinajt dhe më 7 janar në shtëpinë e biznesmenit në Surrel.
Pas kontrollit në Fushë Kuqe, në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe 2 xhaxhallarëve të tij Faik dhe Rakip Martinaj u gjetën 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Ndërsa në banesën në Surrel janë marrë vetëm disa dokumente ndërsa raportohet se në shtëpi nuk ka pasur asnjeri.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit te kaluar, ku zhdukja e tij u denoncua në polici nga xhaxhai.
Martinaj humbi gjurmët pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i tha se ai i kishte kërkuar të vriste Endrit Doklen, kundrejt pagesës 500 mijë euro, vrasje e cila nuk u realizua.



































