Balona spiune kineze të cilën ushtria amerikane e rrëzoi mbi bregun lindor të SHBA-së, ishte deri në 60 metra lartësi, lartësi kjo e barabartë me një ndërtesë 20-katëshe. GlenVanHerck , komandanti i Mbrojtjes Ajrore dhe Hapësinore të Amerikës së Veriut (NORAD), tha në një konferencë shtypi se balona mbante një ngarkesë të krahasueshme me peshën e një aeroplani të vogël komercial. Pasi fluturoi mbi SHBA për ditë të tëra, balona kineze u rrëzua nga një raketë e një avioni luftarak F-22 ekzaktësisht pranë brigjeve të Karolinës së Jugut. Zyrtarët e Pentagonit sqaruan se lartësia e balonës, si dhe pesha e ngarkesës që mbante ajo ishin dy arsyet kryesore që ndikuan në marrjen e vendimit që ta godisnin atë mbi Oqeanin Atlantik. Nëse kjo ngarkesë do të binte në një vend të banueshëm do të bëhej shkak për një katastrofë dhe do t’u kushtonte jetën mijërave personave si dhe mund të provonte dëme kolosale materiale. “Një shqetësim tjetër ishte se balona mund të kishte pasur eksploziv,” tha VanHerck, duke shtuar se kjo ishte vetëm, një hamendësim pasi ushtria nuk disponon prova që anija përmbante një mjet shpërthyes, por nuk mund ta përjashtonte atë si mundësi. Të hënën, rojet bregdetare krijuan një zonë sigurie të përkohshme në brigjet e Karolinës së Jugut me qëllim kërkimin dhe rikuperimin e mbetjeve të balonës. Zyrtarët shpresojnë të rikuperojnë balonën që të zbërthejnë strukturën e saj.
“Balona”, mollë sherri mes Pekinit dhe Uashingtonit
Kina vazhdon të këmbëngule se balona është përdorur për kërkime meteorologjike si dhe për kërkime të tjera shkencore, më pas ajo doli jashtë kursit. Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës e quajti rrëzimin e balonave një reagim i tepërm i SHBA-së që shkel seriozisht konventat ndërkombëtare. Ndërkohë,agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua njoftoi se kreu i Shërbimit Meteorologjik Kinez u shkarkua. Me këtë lëvizje, Pekini dëshiron të dëshmojë se balona është përdorur vërtet për qëllime meteorologjike dhe se personi përgjegjës për dështimin është hequr nga detyra. Balona, e cili qëndroi pezull në hapësirën ajrore të SHBA ca ditë përpara se të rrëzohej mbi Atlantik të shtunën, krijoi tensione të mëtejshme midis Uashingtonit dhe Pekinit.
Joe Biden: SHBA bëri gjënë e duhur
Presidenti i SHBA Joe Biden këmbënguli se administrata e tij bëri gjënë e duhur, duke përsëritur se ai dëshironte ta rrëzonte më herët balonën. Në fund të javës së kaluar, një tjetër balonë kineze u pa mbi qiellin e Amerikës Latine, pikërisht mbi Kolumbinë. Pas kësaj në një deklaratë, Kina kërkoi falje për incidentin, duke këmbëngulur se balona kishte për qëllim kërkime shkencor. Këto fenomene nuk ndodhin për herë të parë pasi Kinezët prej vitesh përdorin balona për të mbledhur inteligjencë. Një zyrtar i Pentagonit tha se Kina gjatë dekadës së fundit ka kryer 20 deri në 30 misione me balona në mbarë botën. Balonat kineze të vëzhgimit hynë në hapësirën ajrore të SHBA-së të paktën tre herë gjatë presidencës së Donald Trump, por këto ndërhyrje nuk u bënë publike në atë kohë. Por sipas Ëashington Post balonat në orbitën e tokës nuk mbledhin shumë më tepër të dhëna apo informacione sesa satelitët kinezë. Balonat mund të qëndrojnë pezull mbi objektivat informues për periudha më të gjata kohore, dhe s’ka dyshim që ato marrin imazhe me cilësi më të mirë. Nëse në rastin konkret balona do të analizohej nga ana e inteligjencës mund të themi që në këtë rast do të përfitoje SHBA-ja. Pas rikuperimit të balonës që ra mbi ujërat territoriale të SHBA-së, ekspertët amerikan do të kenë mundësinë që të zgjidhin dhe të hetojnë inteligjencën dhe sistemet e komunikimit të Kinës. Analistët e inteligjencës amerikane po shqyrtojnë mundësinë që ushtria kineze ose elementë të caktuar brenda qeverisë u përpoqën qëllimisht të sabotonin vizitën diplomatike të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Pekin, e cila ishte planifikuar për 5-6 shkurt. Vizita e Blinken u vonua përfundimisht për shkak të incidentit me tullumbace. Vizita e tij do të shënonte edhe udhëtimin e parë të një niveli të tillë të planifikuar nga SHBA në Kinë qysh prej presidencës së Biden. Imazhet e rrëzimit të balonës kanë qarkulluar edhe në rrjetet sociale kur për pak kohë këto pamje janë bërë virale.



































