Deputetja e PS, Ermonela Felaj, është bërë eksperte kriminalistike për të rrëzuar kërkesën e deputetëve të PD-së për komisionin hetimor për ish-agjentin e FBI-së, McGonigal dhe lidhjet me kryeministrin Rama.
Duke krahasuar firmat e deputetëve nënshkrues, ajo thotë se sjellja e opozitës është denigruese, pasi disa prej deputetëve kanë falsifikuar firmat.
“A ka sjellje më degraduese për Parlamentin dhe për të ashtuquajturën opozitë, sesa të falsifikojë nënshkrimet e deputetëve të vet në dokumenta të cilat i drejtohen Kuvendit?
Kaq hapur bëhet kjo, saqë edhe kur deputetët janë jashtë vendit, p.sh. Belind Këlliçi e Oerd Bylykbashi, figurojnë sikur të kenë qenë këtu e të kenë firmosur.
Lehtësisht i dukshëm e i verifikueshëm manipulimi në letra, për të plotësuar kriterin numerik që disa kërkesa të vihen në lëvizje nga Kuvendi! E përsëritur në fakt! Dhe këtë herë është koha që falsifikatori ose falsifikatorja të zbulohet! Ekspertimi grafik e konfirmon këtë!
Dhe jo vetëm kaq, por dhe të sanksionohet si çdo qytetar tjetër në RSh për krimin e falsifikimit të dokumentave të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal!
Stop falsifaktorëve dhe gënjeshtarëve që betohen për shtet, për parlamentarizëm , për opozitë, por nuk bëjnë dot as më shumë dhe as më pak sesa cdo kundravajtës i rëndomtë i ligjit penal!” shkruan ajo.



































