Analistja Anduena Llabani deklaroi në MCN Live se ish-ministri Shkëlqim Cani është thirrur në SPAK si i pandehur.
Ajo tha se Cani është nën hetim në lidhje me një firmë të hedhur për privatizimin e dy objekteve. Llabani tha se Cani nuk ka folur në SPAK për aferën e inceneratorëve, ndonëse ka firmosur dhe ka pasur korrespondencë me ish-ministrin Lefter Koka.
“Ka qenë për dy orë i thirrur nga prokurori. Në dijeninë time z.Cani është thirrur në cilësinë e të pandehurit dhe jo të dëshmitarit, apo personit në dijeni. Ka një hetim që ka nisur prej disa muajsh ndaj z.Cani dhe zyrtarëve të tjerë që lidhet me privatizimin e dy objekteve në të cilat janë ngritur pallate banimi dhe një objekt tjetër i rëndësishëm. Fakti që z.Cani ka firmosur dhe s’ka kryer procedurat për shpronësimin dhe për marrjen e dokumentacionit të plotë ku janë ndërtuar objekte të tjera, e ka veshur atë me përgjegjësi penale sipas prokurorit për këtë procedurë. Dalja e tij dhe mos dhënia e detajeve ka qenë edhe fakti që z.Cani është marrë i pandehur në lidhje me këto procedura. Bëhet fjalë për dy objekte që thuhet se kanë qenë furra buke. Është ndërtuar një pallat banimi dhe një objekt tjetër, për të cilat Prokuroria ka nisur hetimet pas një kallëzimi të mbërritur në SPAK.
Dje ka qenë vetëm për çështjen e privatizimit. Prokuroria nuk e ka thirrur për firmat e hedhura për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit. Dyshuam që z.Cani të kishte dëshmuar për inceneratorët, pasi ka firmë, një korrespondencë 4 mujore me z.Koka. Z. Ahmetaj po ashtu s’ka dhënë dëshmi në SPAK në lidhje me inceneratorët. Z. Cani ka një korrespondencë, kemi edhe z.Gjiknuri, që mbajnë korrespondencë me z.Koka. Është një letër që Koka ka marrë nga ish-ministri Shkëlqim Cani, ku flitet për inceneratorin e Fierit. Në këtë korrespondencë z.Cani jep objeksionet dhe sugjerimet e veta. Në këtë shkresë z.Cani e ka miratuar ngritjen e impiantit në Fier dhe në Elbasan. Cani i është drejtuar z.Koka me një ‘Po’ të madhe për ngritjen e inceneratorëve. Ka edhe një tjetër korrespondencë lidhur me përqindjen që duhet të marrin kompanitë, është dakord të marrin 10 për qind të tatimeve. Z. Naço i është drejtuar z.Koka dhe ai jep pëlqimin e tij. Kemi dakordësi të z.Naço për ngritjen e inceneratorit të Elbasanit. Po ashtu kemi z.Ahmetaj. Dokumentet janë pjesë e dosjes hetimore. Nuk janë pyetur asnjëherë nga SPAK-u. A do të pyeten për inceneratorin e Tiranës? Nuk e dimë se cila do jetë linja që do të mbajë SPAK-u. A do të kërkohen dëshmitar në procesin gjyqësor? Unë mendoj që po. Është fakt që në 2016-ën z.Cani u shkarkua si ministër i Financave dhe u emërua Ahmetaj. Pati shumë pikëpyetje për shkarkimin e tij. Off record z.Cani ka deklaruar se nuk është shkarkuar por ka dhënë dorëheqjen, sepse nuk pranoi të firmoste këto dokumenta. A nuk ka firmosur dokumentet e tjera Cani, apo i ka firmosur këto dokumente nën presion…”, tha Llabani.



































