Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi është konfirmuar si njëri prej zyrtarëve të pushtetit lokal më të kallëzuar penalisht në organet e drejtësisë. Ndaj tij janë dërguar 7 kallëzime të ndryshme penale në SPAK. Sipas raportimeve në media, dy prej tyre po hetohen, ndërsa 5 të tjera ose janë pushuar hetimet ose është shpallur moskompetencë. Megjithatë, pavarëisht kallëzimeve penale, ai nuk është në regjistrin e veprave penale. Për tri nga denoncimet është vendosur regjistrimi i procedimit penal për verifikimin e faktit, por pa nisur hetimet ndaj Artur Bushit. Ndërkohë dy padi të tjera nuk janë pranuar nga SPAK, dhe grupi i hetimit ka vendosur dërgimin e tyre për kompetencë në prokurori të tjera, dhe për 2 materiale kallëzuese është vendosur mosfillim procedimi për shkak të mungesës së provave ose për shkak se fakti i pretenduar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Burimet nga Prokuroria, thanë se nga tri procedime që janë regjistruar, për njërin prej tyre është grupi i hetimit ka dërguar kërkesë për pushim në gjykatë, ndërkohë që dy procedime penale janë në fazën e hetimit. Artur Bushi u zgjodh në kryetar bashkie në Krujë në 2015 për herë të parë dhe në 2019 rifitoi një tjetër mandat pa garë për shkak se opozita bojkotoi zgjedhjet. Ai pritet tashmë të garojë për një mandat të tretë në Krujë. Angazhimin politik me PS e nisi në 2011 kur u votua si kryekomunar i Thumanës. Në 2013, ai u shpall deputet i PS në Durrës. Por, emri i tij rezultoi me precedent penalë në Itali . Në 2010 u kap nga policia italiane, si i dyshuar për lidhjet me një organizatë të trafikut të kokainës. Bushi fitioi lirinë një muaj e gjysmë më pas, ndërsa çështja kundër tij u pushua dhe u arkivua në vitin 2011. Përveç kësaj çështjeje, Artur Bushi shënoi në formularin e dekriminalizimit edhe një ndalim të vitit 1996 në Caserta të Italisë, ku ishte liruar menjëherë pas një verifikimi.