Në këtë periudhë merkatoje lojtarët e Kombëtares që janë të dyzuar apo që kanë mbetur pa ekip po nxitojnë të gjejnë destinacionin e ri në treg, me shpresën se do të ruajnë në vijimësi formën e tyre dhe do të risin kreditit në karrierën e tyre. Një lëvizje surprizë ndodhi dje në klubin zviceran të Grasshopersit, ku kapiteni Amir Abrashi e ka rinovuar kontratën me këtë skuadër, që i skadonte në fund të këtij sezoni. Ekipi zviceran ka njoftuar të hënën se me rinovimin e kontratës, Abrashi do të jetë pjesë e Grasshoperit deri në verën e vitit 2024. Ai po ashtu, e ka opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Abrashi është pjesë e Grasshoperit prej verës së vitit 2021 kur iu bashkua nga Freiburgu dhe këtë sezon ka 11 paraqitje në elitën e futbollit zviceran. Abrashi është më herët ka qenë pjesë e këtij klubi, me të cilin në total ka regjistruar 185 paraqitje në të gjitha garat. “Ishte një vendim i qartë dhe shumë i lehtë për mua. Jam shumë i lumtur dhe mezi pres të luaj edhe një vit për klubin tim të preferuar. Falënderoj drejtuesit e klubit për besimin që kanë pasur vazhdimisht tek unë dhe do të vazhdoj të bëj më të mirën për të ndihmuar ekipin brenda dhe jashtë fushës”, tha Abrashi.