Filmi “Internimi” dhe aktori Klodian Hoxha vlerësohen në festivalin “Hyjnesha në Fron”

0
139

Filmi “Internimi” me regji nga Kast Hasa mori dy çmime në festivalin e filmit “Hyjnesha në Fron”. “Internment” (Internimi) u vlerësua me çmimin kryesor “Filmi më i mirë”, ndërsa aktori Klodian Hoxha me rolin e Tomorrit në këtë film u vlerësua “Aktori më i mirë”. Festivali “Hyjnesha në Fron” zhvilloi këtë vit edicionin e 15-të në Prishtinë, ku garonin filma të ndryshëm. Për aktorin Klodian Hoxha vlerësimi shkon për regjisorin e filmit “Internment”, i cili i besoi këtë rol. “Falenderoj të gjithë ata, që morën pjesë në këtë projekt gjithashtu edhe regjisorin Kast Hasa, i cili ma besoi këtë rol, gjithashtu edhe festivalin “Hyjnesha në Fron”,  të cilët vlerësuan punën tonë”, shprehet aktori. Filmi “Internment”  (Internimi) është xhiruar në Divjakë, Lushnjë dhe Ferras. Me skenar dhe regji nga Kast Hasa filmi tregon ngjarje të vitit 1983, nga Shqipëria gjatë sundimit komunist. Familja Kulla përpiqet të mbijetojë, ndërsa janë të internuar nga regjimi komunist. Për (Arturin) djalin e familjes, situata vështirësohet më tepër, pasi vendbanimi i tij i ri, është pranë shtëpisë së të dashurës së tij (Frida), e cila është e detyruar të fejohet me operativin. Familja vazhdon të jetojë vuajtjet e persekutimit ndërkohë, siç zbulohet më vonë, i sapo riatdhesuari (Nik Nuri) në përpjekje për të ndihmuar familjen, e komplikon situatën më tutje. Rolet në film janë me aktorët Klodian Hoxha, Enxhi Cuku, Kristi Baçi, Kristaq Pilo, Jorida Meta, Gramoz Gashi, Arjeton Osmani, Ioana Sinani, etj. Vlerësuar me çmimin “Filmi më i mirë i huaj” në Arizona International Film Festival, USA dhe “Regjia më e mirë” në Riverside International Film Festival, USA, ky film debutues i regjisorit Kast Hasa është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Në Kino “Armata” në Prishtinë në kuadër të festivalit për tre ditë me radhë u shfaqën filma dhe u zhvilluan aktivitete artistike nga komuniteti i film-krijuesve dhe film-dashësve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here