Zbardhet marrëveshja Shqipëri-Britani, ja si do kthehen 13 mijë refugjatë shqiptarë nga Anglia, Londra dislokon 400 specialistë në Rinas për të frenuar emigrantët e paligjshëm

0
130

Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria do të firmosin së shpejti një marrëveshje konkrete lidhur riatdhesimin e rreth 13 mijë refugjatëve shqiptarë, parandalimin e emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar nga vendi ynë etj. Vetë kryeministri britanik Rishi Sunak prezantoi dje në Dhomën e Ulët të Parlamentit (Dhoma e Komunëve) planin me 5 pika për të reduktuar pranimin e kërkesave për azil nga shqiptarët, ngritjen e strukturave të kontrollit, mbikëqyrjes dhe parandalimit të valëve të refugjatëve nga Shqipëria, etj. Në fjalën e tij para përfaqësusve të pushtetit legjislativ britanik, Sunak premtoi se refugjatët shqiptarë do të riatdhesohen plotësisht pasi Shqipëria konsiderohet vend i sigurtë që nuk përbën rrezik jete për qytetarët. Për këtë marrëveshje u shpreh dhe kryeministri Edi Rama pas mbledhjes me drejtuesit politik të Partisë Socialiste.

Nga ngritja e komandës lundruese deri te 400 specialistë në Rinas, ja 5 pikat

Zbatimi i planit të luftës kundër emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria do të nisë nga fillimi i vitit të ardhshëm. Qeveria britanike ka vendosur këto pika: 1) ngritjen e një komande të re operacionale lundruese me varka të vogla që do të monitorojnë e parandalojnë fluksin e refugjatëve shqiptarë, 2) fond të posaçëm për të ndihmuar oficerët e emigracionit, 3) shfrytëzimin e hapësirave të reja publike për strehimin e 10 mijë refugjatëve që do t’u pranohet statusi i azilantit, si: parqe pushimi dhe çlodhjeje të papërdorura më parë, ish-sallat e konviktet studentore, etj., 4) dyfishim i punonjësve të verifikimit të kërkesave për azil me qëllim shkurtimin e kohës së verifikimit të proçedurave dhe 5) dislokimin e 400 specialistëve britanikë në Aeroportin e Rinasit që do të bashkëpunojnë me Policinë Kufitare të Rinasit për verifikimin e refugjatëve shqiptarë të kthyer nga Britania e Madhe që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë modern (“shtëpi bari”, punë në të zezë, trafik droge, prostitucioni, etj).

Sunak premton transportin e refugjatëve në Ruanda, ja ç’thotë për 13 mijë shqiptarët

Një tjetër goditje e fortë e konsideruar si shkelje të drejtave të njeriut është transporti ajror I refugjatëve drejt Ruandës, shtet në kontinentin afrikan. Sipas mediave britanike, Sunak është i vendosur që të rinisë kalimin e refugjatëve të çdo kombësie nga Britania e Madhe drejt shtetit ruandez. Për sa i përket 13 mijë refugjatëve shqiptarë, ai premtoi se ata do të riatdhesohen pasi vetë kryeministri shqiptar Edi Rama nuk është shprehur kundër këtij propozimi. Sunak u mbështet te fakti që Shqipëria është vend i sigurtë pasi është anëtare e NATO-s dhe ka firmosur traktatin kundër trafikut të qenieve njerëzore. Ai shtoi më tej se nuk Londra nuk mund të tregohet më tolerante ndaj refugjatëve shqiptarë pasi shtete të tjera ua kanë refuzuar totalisht marrjen e statusit të azilantit. “Një e treta e të gjithë atyre që mbërrijnë me varka të vogla këtë vit,  gati 13 mijë,  janë shqiptarë. Konsiderohet e sigurt për kthime nga Gjermania, Franca, Italia, Suedia. Është një vend aderues në BE, një aleat i NATO-s dhe një anëtar i të njëjtit traktat kundër trafikimit si Mbretëria e Bashkuar. Vetë kryeministri i Shqipërisë ka thënë se nuk ka asnjë arsye pse nuk mund t’i kthejmë menjëherë azilkërkuesit shqiptarë. Vitin e kaluar Gjermania, Franca, Suedia refuzuan pothuajse 100% të kërkesave shqiptare për azil. Megjithatë, shkalla jonë e refuzimit është vetëm 45%. Kështu nuk duhet të vazhdojë”, tha fillimisht Sunak.

Sunak: Shumica e pretendimeve të refugjatëve shqiptarë për skllavëri, të pabaza

Lidhur me verifikimin e refugjatëve shqiptarë në Angli se janë viktima të skllavërisë moderne, Sunak bëri me dije se 400 specialistët britanikë që do të dislokohen në Aeroportin e Rinasit do të verifikojnë pretendimet dhe provat e tyre. Duke i qëndruar linjës se shumica e refugjatëve shqiptarë shfrytëzojnë Aktin kundër Skllavërisë Moderne për t’u përfshirë në aktivitete kriminale në Britaninë e Madhe, ata do të riatdhesohen menjëherë, pasi kanë pretendime të pabaza. “Për herë të parë, ne do të kërkojmë që një azilkërkues të ketë prova objektive të skllavërisë moderne dhe jo thjesht një dyshim. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, shumica dërrmuese e pretendimeve nga shqiptarët mund të shpallen thjesht ‘qartësisht të pabaza’. Dhe këta individë mund të kthehen me shpejtësi”, foli më tej kryeministri Rishi Sunak për riatdhesimin e refugjatëe shqiptarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here