Ushtria serbe nuk do të kthehet më në Kosovë, SHBA mesazh të prerë Vuçiçit, Moska “i hedh benzinë zjarrit” në Veri, Vladimir Putin mbështet Beogradin

0
188

Konflikti midis Serbisë dhe Kosovës vazhdon të jetë i ndezur. Veriu i Kosovës tashmë është një fuçi baruti për një luftë në Ballkanin Perëndimor. Kjo situatë është mundësia më e mirë për Rusinë  për të ndërhyrë. Edhe pse Putin është në një pozicion shumë më të dobët aktualisht, kur përballet me rezistencën e ashpër të Ukrainës dhe i nënshtrohet izolimit ndërkombëtar, Moska mund të nxisë dhe të përdorë një konflikt të ri të mundshëm në Ballkan si një front të dytë për të shkëputur vëmendjen perëndimore nga lufta në Kiev. Nuk do ta ketë të lehtë pasi ditën e djeshme SHBA ka treguar vijat e kuqe për Serbinë në lidhje me Kosovën. Nga ana tjetër Rusia ka dalë hapur në mbështetje të Serbisë. Në deklaratën e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Bochan-Kharchenkoicili theksohet se Moska gjithmonë do t’i mbështesë serbët. Ai theksoi se perëndimi po ushtron presion tek Serbia që ajo të njohe pavarësinë e Kosovës, ku sipas diplomatit serb diçka e tillë nuk do të ndodhe. “Serbia gjithmonë mund të mbështetet tek vendi ynë, Moska gjithmonë do të jetë pranë Serbisë’ tha ai.

Alarmi nga ekspertja amerikane

Situata në veri të Kosovës, për dallim nga herët tjera, është më serioze dhe mund të përshkallëzohet për shkak të provokimeve shtesë, si nga Beogradi, ashtu edhe nga ndikimi rus. Kështu thotë Ivana Stradner, bashkëpunëtore shkencore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington. “Rusisë, për ta destabilizuar Perëndimin, nuk i duhet që t’i shtyjë tanket në Uashington ose Bruksel, por i mjafton që të krijojë vatra të reja, në mënyrë që pesha e përqendrimit të zhvendoset plotësisht në veprimet tjera. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën”, thotë Stradner. Siç thekson ajo, “Rusisë i konvenon konflikti në Ballkan” dhe aty po zhvillon luftë hibride. Stradner thotë se Rusia kurrë nuk ka investuar vetëm në një parti ose në një njeri dhe ngjashëm ka ndodhur edhe në Serbi. Përshkallëzimi i konfliktit, sipas saj, është një nga strategjitë ushtarake të Rusisë, në mënyrë që veten ta vendosë si ndërmjetësues. Kjo po ndodh edhe në rastin e Kosovës, vlerëson Stradner.

Uashingtoni, kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë

Mbështetja e fortë e amerikanëve për Kosovën u konfirmua dhe ditën e djeshme. I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar teksa foli për situatën në Veri të Kosovës citoi se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë. Më pas ai shtoi se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga SHBA. Escobar bëri thirrje gjithashtu se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, thotë Escobar.

Reagon NATO

Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg në një intervistë ditën e djeshme shprehu mbështetjen ndaj Kosovës lidhur me tensionet që po përballet së fundmi me Serbinë për Veriun. Stoltenberg shprehet se BE dhe NATO po punojnë ngushtësisht për të ulur tensionet. “NATO është shumë e fokusuar në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje, forcat e KFOR-it numërojnë më shumë se 4000 ushtarë dhe ata luajnë një rol kyç në stabilizimin e situatës. Mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi shtesë dhe retorika provokuese”, tha Stoltenberg.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here