Tragjedia e Gërdecit tashmë njihet në shumë vende të Evropës dhe më gjerë, por gjithashtu dihet se autorët e vërtetë të saj sot jetojnë qetësisht në familjet e tyre. Faktet dhe rrethanat tregojnë se përgjegjësi kryesor i asaj tragjedie ishte ish-kryeministri Sali Berisha, familjarët e tij dhe ministrat e zyrtarët e tjerë, pasi punishtja ku demontoheshin armët ishte ngritur me urdhër të tij. I biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, drejtonte nga distanca biznesin e vdekjes në Gërdec, ndërsa baxhanaku i Sali Berishës u hodh në erë nga shpërthimi. Kulmi arriti kur Berisha tha se nuk e njihte baxhanakun e tij të vrarë në Gërdec, Muhamet Hoxha. Më vonë, ai deklaroi se nuk e dinte se ai punonte aty, teksa pati dhe justifikime se nuk i kishte treguar Berishës se ai punonte në fabrikë. Ndërsa i biri i shpëtoi drejtësisë. Ndërkaq, gjeneralët, drejtorët, prokurorët dhe gjykatësit u kërcënuan të mbyllnin gojën dhe ashtu bënë. Një skandal më vete përbën kërcënimi me jetë i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, nga Shkëlzen Berisha, për të mbyllur gojën. Dhe për këtë arsye, Hoxha është një ndër figurat më të larta që u dënua me pesë vjet burg për Gërdecin, edhe pse nuk kishte kurrfarë lidhje me fabrikën e vdekjes. Hoxha u dënua në vend të autorëve dhe dy ministrave që kanë firmosur shkresat për të ngritur fabrikën e vdekjes.
Berisha mohoi përfshirjen e familjarëve
Qeveria shqiptare, brenda 3 orëve nga tragjedia e Gërdecit, doli dhe bëri një deklaratë distancimi nga ky “biznes krim njerëzor”. Vetëm 15 minuta pas deklaratës së qeverisë, doli personalisht ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tepër i tensionuar dhe i kapur në “grackën” e biznes-krimit të familjes së tij, u distancua prej këtij skandal-krimi shtetëror, madje duke mohuar dhe faktin e pakundërshtueshëm, që në këtë “fabrikë vrasëse” punonte si drejtues demontimi dhe baxhanaku i tij, që menaxhimin qeveritar e bënte djali i tij Shkëlzen Berisha, që eksperte kontabël në Gërdec ishte mbesa e tij, që policia private e cila mbante nën mbikëqyrje këtë fabrikë ishte e dhëndrit të tij, që Ministri i Drejtësisë dhe drejtorët e kryepolicët e pikave të kalimit kufitar, bënin komunikimin shkresor zyrtar dhe ligjor për aktivitetin eksportues të kësaj fabrike me djalin e kryeministrit, që djali i tij komunikonte dhe vendoste praktikat e demontim-eksportimit të municioneve.
Vrasja e Kosta Trebickës
Zhdukja enigmatike e Kosta Trebickës, dëshmitarit kyç për Gërdecin, vijon edhe sot e kësaj dite të mjegullojë dhe errësojë me dyshime dhe pikëpyetje ngjarjen më të rëndë të pluralizmit shqiptar. Kosta Trebickës ishte i pari që denoncoi Sali Berishën dhe familjarët e tij në gazetën New York Times, ndërsa solli edhe gazetarin e New York Times në Gërdec. Artikulli për trafikun e armëve drejt vendeve në konflikt dhe Afganistanit u botua dy ditë pas shpërthimit. Ndërkaq, Kosta Trebicka ishte njeriu që denoncoi edhe të birin e Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, si njeriu që drejtonte në prapaskenë biznesin familjar në Gërdec. Sipas tij, ministrat konsultonin me Shkëlzenin çdo urdhër, ndërsa baxhanaku i Berishës vepronte në punishte.

































