Duket se Francesco Giorgi, bashkëshorti i ish-nënkryetares së Parlamentit Europian, Eva Kaili, po bashkëpunon me drejtësinë belge.
Media italiane “Corriere della Sera” shkruan se Francesco, i cili ishte edhe asistent i “kokës” së organizatës, ish-eurodeputetit Antonio Panzeri, ka biseduar me gjyqtarin për orë të tëra, aq sa këtij të fundit i është dashur që t’i lërë për më vonë disa pyetje në mënyrë që të përpunonte informacionin e shumtë që ai i kishte dhënë.
“Corriere della Sera” i referohet edhe arrestimit të babait të Eva Kailit, duke shkruar: “Përpara Francesco Giorgit, u arrestua babai i Eva Kailit, teksa po tentonte të largohej me një çantë me 600 mijë euro nga hoteli luksoz ku kishte qëndruar disa ditë me gruan e tij. Dikush duhet ta ketë paralajmëruar paraprakisht për operacionin e Policisë dhe disa dyshojnë se mund të ketë qenë vetë Giorgi që kishte dëgjuar diçka dhe e sinjalizoi. Ndoshta një telefonatë e shkëmbyer mes tyre çoi policinë që priste jashtë hotelit për të surprizuar babain e Eva Kailit.”
Ndërkohë në burg ndodhet ende edhe ish-nënkryetarja e PE-së, Eva Kaili e cila nuk ka pranuar akuzat që rëndojnë mbi të, që janë pashtrim parash, korrupsion dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.