Rreth 132 mijë euro ryshfet për të favorizuar një kompani italiane në një tender, arrestohet pas 2 vitesh ish-drejtoresha e kabinetit në OSHEE Albana Ferraj, krijoi kompani fiktive në 2016

0
190

Policia e Tiranës arrestoi pas dy vitesh arrati ish-zyrtaren e lartë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Albana Ferraj, e akuzuar për marrje ryshfeti me qëllim favorizimin e një kompanie italiane për një tender në vitin 2016. Ndaj 48-vjeçares ishte lëshuar urdhër-arresti nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) që në 18 tetor 2020 për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ish-drejtoresha e Divizionit Tregtar dhe Kabinetit në OSHEE ka marrë rreth 132 mijë euro ryshfet nga kompania e konsulencës italiane “Com Metodi” S.P.A. me qëllim “shpërblimin” me një tender me vlerë 138.500.000 lekë (1.1 milionë euro) në 2016.

Njoftimi i Policisë së Shtetit për arrestimin e Albana Ferrajt

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2. kanë kapur shtetasen A. F., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. 48-vjeçarja dyshohet se ka marrë shumën 131 mijë euro si rryshfet, për të favorizuar një kompani italiane, për një tender të zhvilluar në vitin 2016”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

2 vitë më parë u arrestuan dhe 3 anëtarë të KVO në MIE për tender 1.1 mln euro

Në tetor 2020, Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar zbuloi se Albana Ferraj, në 2016 drejtoreshë e Kabinetit të OSHEE, kishte krijuar një shoqëri private fiktive në Shqipëri duke marrë një ryshfet me vlerë 131.880 euro nga kompania italiane e konsulencës ligjore për biznes “COM METODI”, e themeluar në Milano në 1983. 48-vjeçarja akuzohet nga SPAK-u se ka abuzuar me detyrën për të favorizuar kompaninë italiane për t’i ofruar një tender me fond limit 138.500.000 lekë (1.1 milionë euro). Në këtë histori përfshihen dhe 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti. Ata akuzohen se me veprimet dhe mosveprimet e kryera për proçedurën e prokurimit “Shërbim-Konsulencë”, për lidhjen e kontratës me objekt “Asistencë teknike për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE sh.a”. Në përfundim të hetimeve, GJKKO miratoi kërkesën e prokurorëve të çështjes që të ekzekutohen masat “arrest me burg” për Albana Ferrajn dhe Elis Bushatin si dhe “arrest shtëpie” për Irma Dërgutin dhe Athinta Papën.

OSHEE kontraktoi “Com Metodi” për reformimin e shpërndarjes së energjisë

OSHEE Elektrike e kontraktoi kompaninë italiane, “Com Metodi” S.p.a për konsulencë në procesin e reformimit dhe ndarjes së aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga ai i furnizimit, i përcaktuar në ligjin e vitit 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”. Si pjesë e të njëjtës kontratë, kompania italiane ofroi gjithashtu konsulencë për përmirësimin e cilësisë shërbimit të klientit të OSHEE. Hetimet e SPAK-ut ngritën pikëpyetje mbi këto procedura si dhe akuza për korrupsion në përzgjedhjen e kompanisë italiane të konsulencës. “Ferraj e ka fshehur origjinën e shumës monetare që ka përfituar, edhe pse e dinte që ky veprim përbente vepër penale,” thuhet në kërkesën e SPAK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here