Lajmi është zyrtar, ndërsa lëvizja duket e vonuar, pasi publiku në Spanjë kërkoi që Luis Enrike të shkarkohej menjëherë sapo u eliminua nga Maroku në 1/8 e finales së Botërorit. Por ndodhi zyrtarisht ditën e djeshme, ku vetë federata spanjolle dha lajmin se kishte ndërprerë bashkëpunimin me teknikun katalanas. “Luis Enrike nuk është më trajner i Spanjës”, shkroi një media në Madrid, para se të jepej edhe zyrtarisht njoftimi për media nga insitucioni që drejton futbollin spanjoll. Në fakt, RFEF, Federata Spanjolle e Futbollit, tha se e falënderonte teknikun për atë që kishte bërë në krye të skuadrës gjatë këtyre viteve. Nuk ka vonuar shumë dhe ata kanë emëruar edhe trajnerin e tyre të ri. Luis de la Fuente, një emër gati i panjohur, është trajneri zyrtar i Spanjës.61-vjeçari De La Fuente, fitoi Kampionatin Evropian me ekipin U-19 në 2015, medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare me ekipin U-18 në vitin 2018, Kampionatin Evropian me U-21 në vitin 2019 dhe medaljen e argjendtë në Tokio në vitin 2020. Debutimi i tij do të zhvillohet në mars me ndeshjet kualifikuese për Euro 2024. Trajneri i ri do të prezantohet të hënën në orën 12:30. Pas largimit nga drejtimi i kombëtares së Spanjës, që erdhi si pasojë e eliminimit në raundin e 1/8-ave të Kupës së Botës, reagon më në fund trajneri Luis Enrike. “Tani është koha për lamtumirën dhe pak reflektim. Ajo që i duhet kombëtares është mbështetja në të gjitha kuptimet e saj, për të siguruar që Luis de la Fuente të arrijë gjithçka që ka vendosur. Përpara Spanja”, tha ai. Ndërkohë, duhet thënë se Botërori i Katarit ka “vrarë” 6 trajnerë deri tani, duke dëshmuar se dështimi në një Botëror është mjaft i rëndë. Me largimin e Luis Enrikes nga drejtimi i stolit të Spanjës, tashmë bëhen gjashtë trajnerë që janë larguar nga ekipet pas Kupës së Botës, Katar 2022. Gerardo Martino u largua nga drejtimi i Meksikës, pasi kjo përfaqësuese u eliminua nga Botërori në fazën e grupeve. Karlos Kueiroz u largua nga drejtimi i Iranit, me përfaqësuesen në fjalë që nuk mundi të shkonte përtej fazës së grupeve të Katar 2022. Robert Martinez, trajneri i Belgjikës po ashtu u largua nga drejtimi i belgëve, me zhgënjimin që nuk mundën të shkonin përtej fazës së grupeve. Ashtu si pararendësit edhe Diego Alonso la drejtimi e Uruguait me ekipin e tij që e mbylli eksperiencën e Katar 2022 në grupe. Oto Ado nga ana e tij pas mbylljes së ndeshjes së fundit në raundin e grupeve, atë të Ganës ndaj Uruguait, lajmëroi largimin nga drejtimi i kombëtares së vendit të tij. Dhe tashmë “viktima” e fundit e Katar 2022 është Luis Enrike, me Spanjën që u eliminua nga Maroku në 16-she.