Kristjan Asllani i Interit merr vëmendje edhe në mediat spanjolle

0
140

Për mesfushorin 20-vjeçar Kristjan Asllani nuk po flasin vetëm mediat italiane. “Fama” e tij ka mbërritur edhe në Spanjë, me gazetën e Madridit “AS”, që i ka kushtuar një speciale në prag të sfidës mes Interit dhe Barcelonës sonte në mbrëmje në “San Siro”. Mesfushori shqiptar i lindur në Elbasan ka treguar se është i aftë të përshtatet në disa pozicione në mesfushë. Ai mbërriti tek Interi për të qenë pasuesi i Marselo Brozoviçit dhe ai po mundohet të shfrytëzojë shansin e dhënë. Dëmtimi i kroatit i ka hapur rrugë aktivizimit të tij. Titullar në fundjavën që lamë pas ndaj Romës, ai pritet të jetë në fushë nga minuta e parë edhe kundër Barcelonës. Asllani është një tjetër lojtar me rrënjë emigrantësh që ka mundur të bëjë karrierë të rëndësishme në Itali, aty ku shumë vite më parë familja e tij mbërriti për të siguruar një jetë më të mirë. Babai i tij, Gentjani, punonte me një makinë transporti, por edhe ai si shumë shqiptarë të tjerë, vendosi t’i hipte anijes nga Vlora për në Leçe për të zbarkuar në Itali me pritshmëri më të mëdha se Shqipëria që po linte pas. Kristjan Asllani “shkeli” për herë të parë në Itali kur ishte vetëm 16 muajsh (babai nuk e kishte parë të lindte). Ai nisi të luante futboll kur ishte 5 vjeç me skuadrën e vogël të Butit, fshatit ku jetonte. Skuadrat inferiore të Fiorentinës trokitën në derën e tij, por ai vendosi të kalonte tek Empoli, ku luante një nga lojtarët e rëndësishëm të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Hysaj është një pikë referimi për Asllanin dhe ai nuk e ka fshehur: “Është një lider dhe gjithnjë kam dashur të eci në gjurmët e tij”. Për të qëndruar te Shqipëria, Asllani refuzoi federatën italiane dhe tani numëron 5 takime me Shqipërinë A, ku debutimin e bëri në Spanjë, dhe më saktë akoma në Barcelonë. Pas një sezoni të shkëlqyer me Empolin, Interi vuri bast të madh për të, duke e huazuar nga Empoli me opsionin për ta blerë për 14 mln euro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here