Merkato është mbyllur zyrtarisht dhe tani surprizat që kanë bërë klubet mësohen hap pas hapi në varësi të emrave që kanë depozituar në Federatën Shqiptare të Futbollit. Duhet thënë se një nga klubet ë ka bërë më shumë lëvizje është Partizani, por për të kuqtë ka pasur edhe largime cilësore. Por në orët e fundit të merkatos, duket se Kukësi ka surprizuar tej mase me afrimin e një sulmuesi brazilian që ka luajtur në Greqi e vende të tjera. Kjo lëvizje në kampin verilindor konsiderohet përcaktuese, pasi mendohet e futbollisti bën diferencë, por përveç tij Kukësi ka bërë dhe goditje të tjera në treg. Edhe Tirana ka surprizuar me një blerje të orës së fundit, duke afruar Lulajn.
Kukësi lëvizje surprizë në sekondën e fundit
Kukësi është padyshim “rekordmeni” i merkatos së verës, me plot 22 afrime. Zbulohet se në minutat e fundit, atëherë kur federimi edhe mund të digjej, klubi verilindor ka arritur të marrë një sulmues brazilian. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin Gabriel Barbosa Avelino, i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e klubit grek, Levadhiakos, ku shënoi katër gola në 12 ndeshje të luajtura në periudhën shkurt-maj 2022. Emri i tij është i njëjtë me “Gabigolin” e famshëm brazilian që bleu Interi, por kjo është thjesht rastësi, sepse nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Sulmuesi 1.95 metra i gjatë do të vijë te Kukësi në formë huazimi për një sezon pas marrëveshjes me grekët. Kontrata e tij me Levadhiakosin përfundon pas dy vitesh. Gabriel Barbosa është prodhim i klubit të madh brazilian, Palmerias dhe pesë vite më parë kartoni i tij u ble nga SPAL në Itali. Sulmuesi ka luajtur për një periudhë të shkurtër edhe në Korenë e Jugut me FC Seul.
Tre nigerianë shtojnë grupin e të huajve tek Kukësi
Klubi i Kukësit ka njoftuar në orët fundit të kësaj të marte se ka nënshkruar me tre futbollistë nigerianë, që luajnë në pozicione të ndryshme. Verilindorët e nisën me njoftimin për sulmuesin 19-vjeçar Sodiq Olamilekan Oseni, i cili ka firmosur për pesë sezone. Oseni do të aktivizohet me ekipin e Kukësit U-21, duke qenë nën vëzhgimin e stafit teknik për ekipin e parë. Nigeriani i dytë që ka firmosur me klubin verilindor është mesfushori Shamsuden Sani, i cili do të jetë i lidhur me këtë skuadër gjatë 2 sezoneve të ardhshme. Edhe 20 vjeçari nigerian Sani do të aktivizohet fillimisht me ekipin e Kukësit U-21. Daniel Momoh, edhe ky mesfushor 20-vjeçar, ka nënshkruar për tri sezone. Ashtu si bashkëkombësit e tij, do ta nisë fillimisht në skuadrën e 21-vjeçarëve, me synimin katapultimin në ekipin e parë pas një kohe përshtatjeje.
Tirana e mbyll merkaton me Bruno Lulajn
Bruno Lulaj është lojtari më i ri i kampionëve të Shqipërisë. Tirana e ka afruar mbrojtësin me parametra zero, pasi në fund të sezonit të shkuar 27-vjeçarit i përfundoi kontrata me Kukësin, pjesë e së cilit ishte për plot 3 sezone. Kjo do të jetë eksperienca e parë në kryeqytet për mbrojtësin, pasi më herët përveç Kukësit ka luajtur vetëm me Skënderbeun dhe me Laçin në Shqipërisë, si dhe ka qenë pjesë e U-20 së Panionios në Greqi. Ndonëse jemi në orët e fundit të merkatos së verës, Tirana vazhdon përforcimet në mënyrë që të mund të “luftojë” për të mbrojtur titullin kampion.





































