Kryetari i përkohshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj injoroi Kuvendin demokrat që do të mbahet në 30 prill, i thirrur nga Komisioni i Rithemelimit të PD. Në daljen për mediat në hyrjen e Kuvendit të Shqipërisë ditën e djeshme, Alibeaj iu përgjigj pyetjes nëse do të merrte pjesë në Kuvendin demokrat të ditës së nesërme, duke deklaruar se ai ka publikuar platformën e bashkimit të partisë, të cilin e konsideron “libër të shenjtë”. Indirekt, duke sulmuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “Foltoren”, Alibeaj deklaroi se demokratët kërkojnë një proces real gare duke mos njohur zgjedhjet e brendshme në degët demokrate që u organizuan nga Grupi i Rithemelimit të PD. “Grupi parlamentar i PD ka nxjerrë platformën e saj, është libri i shenjtë, pati një refuzim, të gjithë e dimë. E rëndësishme është që të diskutojmë për çështje të interesit publik. E dini mjaft mirë se si është qëndrimi im. Është shprehur fare qartë qëndrimi i deputetëve. Interesi i demokratëve kërkon disa vlera, votat, anëtarësinë, një proces real një garë reale Është e qartë që ka një PD, ka një statut të saj, ka organe, kryesi, këshill kombëtar të PD, ato që janë sot e do vijojnë të jenë, rregullat e institucionet e PD”, tha Alibeaj. I pyetur se çfarë pozicioni do të mbajë pas Kuvendit të nesërm, kreu i përkohshëm i demokratëve tha se fatin e tij e cakton vetë dhe për fatin e PD pret përgjigje përfundimtare nga Gjykata e Apelit të Tiranës për vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri që regjistroi Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. “Nuk ka dyjëzim, atë që kam thënë kohë më parë, çështja është në Gjykatë, e presim. Kur Gjykata flet, ne të tjerët heshtim. Fatin tim e caktoj vetë, në çdo dimension, unë nuk nxitoj”, përfundoi kryetar në detyrë i PD, Enkelejd Alibeaj.
Bardhi: Kuvendi i 30 prill, tubim për të përçarë PD për interesin e Berishës
Pas Alibeajt, për mediat u shfaq para Parlamentit dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Lidhur me ndasitë e krijuara në grupin parlamentar demokrat për platformën e Alibeajt dhe ndryshimet e qëndrimeve të disa prej tyre, Bardhi u përgjigj se asnjë prej 32 deputetëve, emrat e të cilëve dolën në media se kanë firmosur pro-platformës nuk kanë ndryshuar qëndrim. “Ne deputetët kemi shprehur qëndrimin tonë si gjykon grupi parlamentar, si mund të arrihet bashkimi i demokratëve. Secili nga deputetët ka shprehur qëndrimin e tij dhe i njëjti qëndrim është shprehur me shkrim nga kryetari i grupit parlamentar. Nëse dikush kërkon t’i kthejë deputetët e PD-së në karagjozë, që në mëngjes mendojnë ndryshe e në darkë ndryshe, kjo është punë tjetër. Asnjëri nuk është tërhequr”, u shpreh Bardhi. Për Kuvendin e 30 prillit të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit të PD, eksponenti demokrat e konsideroi si tubim dhe miting që po synon vazhdimin e përçarjes së demokratëve. Sipas tij, ky Kuvend është thirrur nga Berisha për të mbrojtur interesin e tij personal të luftës me SHBA për heqjen e statusit “non grata”. Bardhi deklaroi gjithashtu se ish-lideri historik i PD dhe “Foltorja” duan të zvogëlojnë këtë parti. “Ka një miting tjetër të organizuar në mënyrë të njëanshme si një akt për të vijuar përçarjen.Uroj shumë që cilido të kapërcejë veten dhe interesin e demokratëve. Deri më tani kemi parë akte që përçajnë PD duke ecur në një rrugë të njëanshme. Kjo nuk është zgjidhje për bashkimin e PD, për interesin e demokratëve, por për interesin personal të Berishës, por bie ndesh me PD. Është Tubim për të përçarë PD. Ata duan zvogëlimin e PD dhe duan ta lënë të vogël për interesat e tyre”, përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.