Puna restauruese po vazhdon në Kalanë e Prezës. Pas dëmtimeve të tërmetit të nëntorit të vitit 2019, objekti monument kulture është në proces restaurimi. Ministrja e Kulturës Elva Margariti thotë se specialistët po punojnë në kala. “Vijon puna restauruese në njërën prej kullave rrethore të Kalasë së Prezës, një prej monumenteve më të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019. Pasi janë gjetur dhe adresuar shkaqet e kolapsit të muraturës aty, specialistët po punojnë që fragmenti të rindertohet së bashku me dy dritaret dhe oxhakun e mëparshëm përmes një murature të përforcuar e më të qëndrueshme. CHwB Albania, Embassy of Sweden in Tirana, World Monuments Fund, Ambassadors Fund for Cultural Preservation, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Ministria e Kulturës”, shkruan Margariti në një status të saj në Facebook. Tërmeti i rënë më 26 nëntor 2019 shkaktoi dëme edhe në kalanë e Prezës, monument kulture, e cila nisi të ndërtohej në shekullin e 14-të dhe përfundoi në fillim të shekullit të 15-të. Si pasojë e tërmetit muri i kalasë u ça, ndërsa ranë edhe disa gurë. Projekti i restaurimit është zhvilluar dhe po zbatohet nga ChwB Albania dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore. Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekujt XIII-XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 metra.