Vdekja e Kosta Trebickës 13 vite më parë/ Artan Hoxha plas “bombën”: U vra sepse zbuloi lidhjet e familjes Berisha me Gërdecin

0
199

Politika ka kujtuar dje vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari, por në të njëjtën ditë 13 vite më parë, humbi jetën Kosta Trebicka. Ai u gjet i pajetë teksa kishte shkuar për gjueti në Voskopojë, por të shumtë janë ata të cilët besojnë se Kosta Trebicka u vra për shkak të shpërthimit të Gërdecit. Sipas kabllogrameve të publikuara nga Wikileaks, Trebicka ka deklaruar se djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha ishte i përfshirë në këtë ngjarje. Për këtë çështje, ka reaguar edhe gazetari Artan Hoxha. Teksa ka përkujtuar vdekjen e Kosta Trebickës, i cili humbi jetën më 12 shtator të vitit 2008, Hoxha shkruan se Kosta Trebicka, meriton që të përkujtohet dhe të nderohet, për kurajën që pati në ekspozimin e korrupsionit qeveritaro-politik. Ai theksoi, se Kosta Trebicka, ishte ai i cili zbuloi edhe lidhjet e familjes së ish-kryeministrit Sali Berisha me Gërdecin. “Kosta Trebicka, meriton të nderohet, si dëshmori që denoncoi korrupsionin qeveritaro-politik. Për të gjithë ata politikan, që do ta marrin mundimin sot të vizitojnë banesën e Azem Hajdarit, të ish-vilat Gjermane, zahmet e kanë të ngjiten edhe nja 70-80 metra më lartë, ku ndodhet banesa e Kosta Trebickës. Dëshmitari kyç i skandalit të Gërdecit, njeriu që denoncoi korrupsionin qeveritar. Që tregoi lidhjen kriminale të qeverisë Berisha, familjes së tij, institucioneve shtetërore dhe një grupi biznesmenësh klientë të preferuar. Si sot 13 vite më parë, kufoma e Kosta Trebickës u gjet e hedhur në një rrugë rurale në periferi të Voskopojës, në rrethana që nuk u hetuan kurrë në mënyrë shteruese”, tha ai.

Hoxha: Trebicka viktima e 27 e Gërdecit

Gazetari Artan Hoxha, u shpreh se Kosta Trebicka duhet që të nderohet për kurajën që pati për të denoncuar korrupsionin në vend. Ai theksoi, se si pasojë e këtij korrupsioni që ka pasur vendi, humben jetën edhe 26 viktimat e pafajshme të tragjedisë së Gërdecit. “Por, edhe me aq sa bëri, Kosta Trebicka meriton të kujtohet dhe të nderohet sot, për kurajën që pati në ekspozimin e korrupsionit qeveritaro-politik. Korrupsion kriminal, i cili u kushtoi jetën 26 shqiptarëve të pafajshëm, dhe rrafshoi nga faqja e dheut qindra e mijëra banesa afër vendit të shpërthimit’, tha ai. Sakaq, gazetari Artan Hoxha, u shpreh se Trebicka është viktima e 27 e ngjarjes së Gërdecit. Ai theksoi se, Trebicka nuk u vra nga shpërthimi i Gërdeci, por sepse nxori skandalin më të madh të qeverisë Berisha. “Në të vërtetë, Kosta Trebicka është viktima e 27 e tragjedisë së Gërdecit, të cilin nuk e vrau shpërthimi i madh i barutit në depot e demontimit, por e vrau shpërthimi i skandalit të madh të qeverisë Berisha. Sot është fiks dita për të kujtuar ata që thanë të vërtetën, dhe për të mos i harruar kurrë, ata që e varrosën të vërtetën”, shkruan ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here