Ilir Alimehmeti: Të bëhet kujdes me vaksinimin e detyrueshëm,Delta ka ulur efektivitetin e çdo vaksine

0
392

Doktor Ilir Alimehmeti, në një intervistë për gazetën “SOT”, ka folur mbi situatën e pandemisë së Covid-19 në vendin tonë. Shifrat e ditëve të fundit të të infektuarve janë rritur ndjeshëm dhe doktor Alimehmeti ka dhënë argumentet e tij se përse mund të ketë ardhur kjo situatë. Ai është ndalur dhe te vaksinimi i detyrueshëm, ku ka thënë se duhet të bëhet kujdes me të tilla nisma. Po ashtu sipas doktorit, kufizimi orar që vijon të mbetet në fuqi nuk ka asnjë efekt në parandalimin e përhapjes së virusit.

-Zoti Alimehmeti, ditët e fundit shihet një rritje e numrit të infektimeve në vend nga Covid-19, por numri i vdekjeve mbetet i ulët. Si ekspert, si e shihni ju situatën, duhet të shqetësohemi?

Tashmë janë katër javë që ka filluar rritja eksponenciale e rasteve dhe dy javët e fundit kemi një incidencë të lartë me 261 raste për 100.000 banorë (total 7.492 raste të reja këto dy javë), pozitivitet të testeve 13.4%, dhe vdekshmëri 8.7 për një milionë banorë. Për krahasim, mesatarja e shteteve të Bashkimit Europian tregon incidencë dyjavore 205 raste për 100.000 banorë dhe vdekshmëri 9.6 për një milion banorë. Por, duke parë nga njëra anë shifrat e rasteve të reja që janë shumë të ngjashme me rastet e reja të periudhës e janarit 2021, vërejmë se fatmirësisht numri i humbjeve të jetës është rreth 5 herë më i ulët. Kjo diferencë duhet hulumtuar pse vjen, por ka disa faktorë të ndryshëm që mund të përmenden si numri i lartë i personave që tashmë e kanë kaluar apo janë vaksinuar, të cilët edhe po u infektuan kanë gjasa të bëjnë forma më të lehta, moti i verës që shoqërohet me imunitet më të lartë të njeriut, si edhe variantin Delta të SARS-CoV-2 që duket se është më i transmetueshëm nga njeri krah, por me gjasa më të ulëta për të dhënë sëmundje të rëndë nga krahu tjetër.

-Ju keni publikuar së fundmi një studim në Izrael, ku në vija të përgjithshme thuhet se tashmë njerëzit do arrijnë të bashkëjetojnë me mutacionet e virusit. Sa realisht janë të rrezikshme këto mutacione?

Viruset e reja për njeriun, me kalimin e kohës, shkojnë drejt formimit gradual të varianteve më të transmetueshme, por më pak vdekjeprurëse. Studimi i sipërcituar është kryer në Izrael mbi sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e variantit Alfa në krahasim me variantet e mëparshme dhe vuri re një rënie të vdekshmërisë së rasteve nga 1.25% te variantet e mëparshme, në 0.74% te varianti Alfa (Moore CM et al. 2021). Në këtë drejtim duket se po ecën edhe varianti Delta, por për t’u bindur duhen të presim edhe pak muaj për të analizuar të dhënat paraprake e për të bërë publikimet zyrtare përkatëse. Megjithatë, me pacientët aktualë jemi duke vënë re pikërisht një klinikë më pak të ngarkuar e më të shkurtër në kohë në krahasim me variantin Alfa.

-Nëse shohim infektimet e këtyre ditëve, krahasuar me një vit më parë të së njëjtës periudhë janë më të larta edhe pse kemi vaksinim masiv. A mos ndoshta vaksinat nuk po e ndalin dot infektimin?

Kujdes, kjo nuk është lidhje e drejtpërdrejtë vetëm me vaksinimin. Mos të harrojmë që vitin e kaluar varianti në qarkullim ishte D614G, ndërsa tani kemi variantin Delta. Për të evituar valë infektimi të reja nga varianti D614G nevojitej një mbulueshmëri me vaksinë e të paktën 75% të popullatës, nëse efektiviteti i vaksinës do të ishte të paktën 80%. Në situatën aktuale, jemi ende larg vaksinimit të 75% të popullatës, por gjithashtu varianti Delta ka ulur edhe efektivitetin e cilësdo vaksinë. Gjithashtu, vera e kaluar karakterizohej nga një lëvizshmëri shumë e ulët e individëve ndërmjet shteteve, ndërkohë që vera aktuale nuk e ka këtë kufizim, madje të dhënat e EuroControl tregojnë se Shqipëria është i vetmi shtet me shtesë 25% të fluturimeve këtë muaj në krahasim me të njëjtin muaj të 2019, ndërkohë që shtetet e tjera janë të gjitha në minus. Mos të harrojmë gjithashtu se një person i vaksinuar e ndjen veten të mbrojtur e, si rrjedhojë, sillet në mënyrë më të çlirët. Pra, krahas vaksinës duhet të marrim në konsideratë edhe variantet edhe dinamikat e lëvizjes dhe të sjelljes së popullatës.

-Po së fundmi kemi po rastin e Izraelit. Shteti i vetëm që ka vaksinuar më shumë qytetarë është ai, por ka shpërthyer një numër i madh infektimesh ditët e fundit. Si shpjegohet?

Ka disa arsye të ndryshme që mund të kenë luajtur rol në Izrael:

Së pari, varianti Delta ka ulur efektivitetin e çdo vaksine përfshirë atë Pfizer që përdoret në Izrael.

Së dyti, mbrojtja imunitare nga vaksina bie me kalimin e kohës dhe Izraeli është ndër shtetet e para më të vaksinuara në botë me shumicën e dozave të kryera brenda periudhës janar-mars 2021, pra kanë kaluar 6-8 muaj nga kryerja e vaksinimit.

Së treti, struktura moshore e Izraelit është shumë e re. Aktualisht vetëm 72% e popullatës mbi 12 vjeç është vaksinuar, pasi rreth 1.1 milionë izraelitë kryesisht të grupmoshës 12-20 vjeç me të drejtë e kanë refuzuar vaksinimin. Kjo do të thotë që po marrim parasysh të gjithë popullatën, përfshirë moshat 0-12 vjeç, vetëm 58% e popullatës është vaksinuar, shifër kjo nën nivelin e diskutuar më lart.

Së katërti, siguria “e rreme” që dha përdorimi i green pass-it në Izrael u komunikoi individëve mesazhin e gabuar që tashmë që jeni vaksinuar çdo gjë ka kaluar dhe, si rrjedhojë, u harruan të gjitha masat e tjera parandaluese të infeksionit, kur në të vërtetë është qartësisht e demonstruar që vaksina nuk ofron dot siguri të plotë deri më sot.

-A mund të themi se kemi hyrë në valën e tretë të pandemisë dhe sa mund të zgjasë kjo situatë?

Shqipëria është patjetër në valën e tretë aktualisht. Duke marrë parasysh ecurinë e kurbave epidemiologjike të mëparshme, përllogaritet që shifrat e rasteve të reja të vazhdojnë të rriten deri në ditët e para të shtatorit, kur përllogaritet të ketë një ngadalësim dhe mosrritje të mëtejshme, për të shkuar më pas drejt rënies progresive në gjysmën e dytë të shtatorit. Rrjedhimisht, me rreth 10-14 ditë distancë, pritet të bëjë të njëjtën ecuri edhe kurba e shtrimeve në spital dhe e humbjeve të jetës. Kujdes, këto përllogaritje janë të bazuara mbi sjelljen e varianteve të mëparshme dhe standardizimet e nevojshme për variantin Delta janë në përpunim e sipër e si rrjedhojë, mund të ketë zhvendosje të vogla në përllogaritje.

-Ka një debat sa i takon vaksinimit, ku në disa shtete po shkohet drejt vaksinimit me detyrim, ndërsa kryeministri paralajmëroi se dhe te ne mund të kemi vaksinim me detyrim të studentëve. Ju si mjek, si e shihni këtë gjë? A është i pranueshëm vaksinimi me detyrim?

Jo, mendoj se vaksinimi i detyrueshëm mund të kufizohet vetëm në disa profesione shëndetësore të caktuara, por jo më tej. Në opinionin personal, mendoj se qeveritë e çdo shteti e kanë kryer misionin e tyre për sa kohë kanë arritur të kenë vaksina të mjaftueshme në dispozicion për popullatën. Më pas, punohet me ndërgjegjësimin dhe informimin e plotë të individëve. Këtu mbaron pjesa e detyrës që ka shteti ndaj individëve dhe nuk mund t’i kërkohet llogari më tej. Nga ky moment, shëndeti individual është përgjegjësi e vetë individit adult që vendos vetë. Një paralelizëm mund të bëhet me duhanin: ka informacion të gjerë mbi dëmet e duhanit te duhanpirësi vetë, por edhe te të tjerët, ka disa kufizime se ku mund të pihet duhan, ka bllokime të reklamave dhe rritje të çmimit, por nga ky moment e më pas është krejtësisht përgjegjësi e individit që ka vendosur të kryejë sjelljen e rrezikshme të duhanpirjes.

-Masat kufizuese sa ndikojnë te përhapja e virusit? Duhet theksuar se vijojmë të kemi në fuqi kufizime pas orës 00.00.

Të njëjtat masa ishin në fuqi edhe kur incidenca ishte njëqindfish më e ulët në qershor. Pra me po të njëjtat masa kemi edhe incidencë dyjavore 2/100.000 banorë edhe incidencë dyjavore 260/100.000 banorë. Nuk ka shembull më të mirë për të kuptuar që masa e kufizimit të orarit është e pavlefshme. Për sa kohë grumbullimet janë qartësisht të lejueshme e të pakontrolluara kudo gjatë orareve të tjera (grumbullimet për kampionatin e futbollit, festa e birrës në Korçë, etj.), kjo masë ka si të ketë asnjë efekt.

-Çfarë këshille do jepnit ju për menaxhimin sa më të mirë të situatës?

Nuk jemi më në 2020, por kemi një vit informacion dhe eksperiencë më shumë, por sidomos kemi të disponueshme vaksinën. Tashmë është koha që të ndalemi së numëruari rastet e reja, por të fokusohemi vetëm te rastet e rënda, rastet e shtruara në spital dhe humbjet e jetës. Ndër to duhet të nxjerrim përfundimet se cilat vaksina funksionojnë më mirë dhe me cilin regjim, si edhe të kuptojmë sa është mbrojtja nga infektimi i kaluar më parë përmes një studimi seroprevalence në popullatë përfaqësuese. Informimi dhe ndërgjegjësimi i vazhdueshëm i publikut duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i besueshëm, duke u bazuar mbi evidencat më të reja shkencore, pasi situata është dinamike dhe si e tillë duhet trajtuar. Kemi ende një sezon vjeshtë/dimri përpara, por që do të jetë më i lehtë se sezoni i kaluar dhe, me ndihmë të Zotit, do të jetë sezoni dimëror i fundit i pandemisë.

Intervistoi: Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here