“Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris” sjell historinë komike të takimit midis dy gjenish, në fillimin e shekullit XX

0
413

Teatri Metropol hapet për publikun me premierën “Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris”. Vepra e autorit Steve Martin me regji nga Armela Demaj çel nesër në mbrëmje sezonin artistik teatror, pas një periudhe të gjatë mbylljeje nga covid 19. Vepra e jashtëzakonshme e shkruar nga Steve Martin ngjitet në skenë nga regjisorja Demaj, e cila ka bërë bashkë një kast aktorësh e muzikantësh për këtë teatër muzikor. Teatri Metropol shprehet se në këtë vepër teatrore do të ndërthuren rikrijimi i elementeve vizual dhe muzika. “Ky produksion i ri, do të sjellë historinë komike të takimit midis dy gjenish, Pikasos dhe Ajnshtajnit në fillimin e shekullit XX, kohë ku do të ndërthuren rikrijimi i elementeve vizual dhe interpretativ me muzikën dhe këngën e kësaj periudhe”, bën me dije teatri. Interpretojnë në role Roerd Toçe, Klodjana Keco, Amri Hasanlliu, Sara Koçi, Erdet Miraka, Silva Brahimataj, Ermir Hoxhaj, Silvio Goskova, Aleksandër Kondi, Blendi Arifi, Kristjana Dodaj. As/ regji Joana Omeraj, formulues muzikor Gent Rushi, këngëtare Laura Hoxha, skenografia Klodiana Beqiraj, koreografia Sara Koçi, kostumografia Frenci Gjerasi. Zbërthimi i karaktereve të veprës, të cilët në ndërthurje me njëri-tjetrin sjellin situata komike, duke vënë në dukje optika të ndryshme të mënyrës se si shihet bota dhe marrëdhëniet njerëzore brenda saj. Projekti krijon një copëz jete 100 minuta nga një periudhë e largët siç është viti 1904. Teatri shprehet se muzika do të jetë pjesë integrale e kësaj shfaqjeje, e cila do të jetë e gjitha “live”. Ndërsa qasja skenografike është në sintoni me periudhën historike të viteve 1900, gjithashtu edhe kostumet do të qëndrojnë në stilin e kësaj epoke. Komedia do të jepet më 17, 18,19, 24, 25, 26 qershor ora: 21:00 në teatrin Metropol.

Ngjarjet dhe personazhet

Shfaqja në qendër ka dy personazhet kryesor, piktorin Pablo Pikaso dhe shkencëtarin Albert Ajnshtajn, të cilët takohen në një mbrëmje në lokalin “Lapin Agile” (Lepuri i shkathët) në Montmartre në Paris. Ngjarjet janë vendosur në një mbrëmje tetori në 1904, kohë kur të dy gjenitë janë në prag të zbulimit të ideve të tyre mahnitëse Anjshtajni, përpara se të botojë teorinë e tij të relativitetit në 1905 dhe Pikaso, para se të pikturojë veprën “Zonjat e Avinjonit” “Les Demoiselles d’Avignon” në vitin 1907. Në bar ata kanë një debat të gjatë në lidhje me vlerën e gjeniut dhe talentit, ndërsa bashkëveprojnë me një mori personazhesh të tjerë, mes tyre dhe Elvis Preslin para se të bëhej një muzikant i njohur. Për këtë vepër autori Steve Martin ka thënë se duke u ndalur në Teorinë e Relativitetit të Ajnshtajnit dhe pikturën e njohur “Zonjat e Avinjonit” të Pikasos, vepra përpiqet të shpjegojë në një mënyrë sa më të thjeshtë ngjashmërinë e procesit krijues, duke përfshirë imagjinatën në art dhe po ashtu edhe zbulimin shkencor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here