Rezana Vrapi, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore është shprehur se nuk do të ketë ripërsëritje të testit. “Absolutisht jo. Një rishpërndarje pikësh edhe mundet. Unë e di si do jetë fundi. Por ata që merren me statistikë e kanë kuptuar trendin me aq sa janë vlerësuar. Por do shikojmë nëse ndonjë pyetje ka vështirësi. Dhe do kemi ulje pragu të pikëve për notat”, tha Vrapi lidhur me protestën e bërë nga maturantët për provimin e matematikës, ku pretendohej për vështirësi në pyetje.
Me tej zonja Vrapi e ftuar në “Radarin Informativ” ka theksuar se deri më tani janë korrigjuar rreth 8 mijë testime dhe nga të cilat ka pasur disa nxënës të cilët e kanë zgjidhur 100% testimin. Ajo ka shtuar se ulja e pragut të pikëve për notat, bëhet vetëm pas rezultateve përfundimtare ku do të analizohet nëse testi ka qenë më i vështirë nga pritshmëritë. Sipas saj nëse ka 25% të nxënësve që e kanë zgjidhur 100% testimin, nuk ka asnjë arsye se pse të ulet pragu i pikëve.
Kujtojmë se sot, ministrja e Arsimit Evis Kushi, është shprehur se Ministria e Arsimit ka rënë dakord që të ulet kufiri minimal i pikëve për çdo notë. Ajo tha se pas provimit janë ngritur grupe eksperte që kanë analizuar në detaj provimin e matematikës, dhe është marrë vendimi që të ulet kufiri i pikëve minimale. Megjithatë Rezana Vrapi është shprehur se rishpërndarja e pikëve do bëhet pas korrigjimit të të gjithë testeve.