Deputeti socialist dhe një ndër mbështetësit më të mëdhenj i luftës partizane ka shpërthyer dje në kritika të forta ndaj kreut të Drejtorisë së Arkivave, Ardit Bido. Ky i fundit provokoi pak ditë më parë me një deklaratë për figurën e Qemal Stafës, duke deklaruar se ai nuk është hero sikur thuhet. Gazeta ka kontaktuar me Brahon rreth kësaj çështje dhe ai ka hedhur poshtë deklaratën e Bidos, duke i quajtur provokime të njëjta me ato të Uran Butkës, Agron Tufës dhe Çelo Hoxhës. Sipas Brahos, Bido dhe të tjerë nuk kanë njohuritë e mjaftueshme dhe kërkojnë të njollosin heronjtë tanë. “Lëtyrosja e porositur e arkivistit Bido, në thelbin e saj për deformimin, madje falsifikimin e historisë për figurën emblematike të Qemal Stafës, nuk është një lajthitje, rrjedhojë jo vetëm e paditurisë së tij profesionale, por një sulm dhe provokacion i ri alla Butka-Çelo-Tufa. Që i ripërsëritet djallëzisht historisë së luftës antifashiste dhe njërit prej figurave të shquara të organizimit të saj, veçanërisht të rinisë antifashiste siç ishte Qemal Stafa”, u shpreh ai. Sipas Brahos, Bido po godet një prej aktivistëve të luftës partizane. Sipas deputetit, po rikthehen avazet e vjetra që e kishin burimin te Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit. “Në këtë sens Bidua ynë arkivist merr përsipër të godasë dy gjëra të rëndësishme. E para godet memorien historike, përse? Përkujtohet 5 maj si dita që simbolizon nderimin që populli shqiptar u bën heronjve dhe dëshmorëve të luftës antifashiste. Avaz i vjetër ky me atë që bëri Instituti famshëm i falsifikimeve i yshtur nga Uran Butka dhe nipçet e tij që bëjnë glasa në aparatet shtetërore dhe njëri prej të cilëve afishohet edhe një renegat arrivist i familjes së tij të nderuar, Drejtorit të Arkivit të Shtetit”, theksoi ai.
Bido po shkel ligjin
Përpos faktit që po del kundër historisë partizane, sipas Brahos, Bido ka shkelur ligjin. Braho ka përmendur këtu ligjin e miratuar së fundmi për mos cenim të historisë së LANÇ. Por jo vetëm kaq, Braho tha se, me atë deklaratë Bido tregon që ai u bashkohet radhëve të ballistëve kundër heronjve tanë, që na sollën çlirimin e vendit. “Me këtë rast dua t’i kujtoj drejtorit se, përveç motivit të poshtër që e ka shtyrë të vihet në shërbimin e të gjithë kuislingëve të djeshëm dhe pasardhësve të tyre sot, ka shkelur edhe ligjin e sapomiratuar nga Kuvendi që nuk e lejon këtë spurdhjak të revizionojë historinë e luftës antifashiste, epopenë më të lavdishme të popullit shqiptar. I dyti mëkat që bën z. Bido është se ai i bashkohet korit të kukuvajkave balliste që kërkojnë të hedhin baltë mbi historinë e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, luftë në të cilën, epopeja çlirimtare e brigadave partizane të udhëhequr nga Partia Komuniste dhe patriote të tjerë nacionaliste e rreshtoi Shqipërinë në krahun e fitimtarëve”, u shpreh Braho për gazetën.
Bido të japë dorëheqjen
Teksa po argumentonte më tej shkeljet që ka bërë Bido duke njollosur figurën e Qemal Stafës, Braho kërkoi që ai të japë dorëheqjen nga detyra si drejtor i Arkivave. Sipas Brahos ai ka shkelur dhe rregullat si drejtues i atij institucioni, duke u treguar mungesë profesionaliteti. Prandaj, në përfundim i kërkon atij përmes kësaj deklarate të vetëdorëhiqet, për të mos vazhduar më me shkeljen e ligjit dhe njollosjen e historisë, për të cilat e kanë urdhëruar të tjerë. “Këto lajthitje z. Ardit Bido janë të rënda për ty si person, por edhe si drejtues i një institucioni të rëndësishëm shtetëror nga i cili pritet korrektesë, paanësi dhe seriozitet shkencor dhe profesional dhe jo të joshësh e të lètyrosësh e gërmosh si mi arkivash në copa letrash të ndyra të lëna nga kufomat e mundura të Luftës së Dytë Botërore. Më e pakta që duhet të reagosh është të japësh dorëheqjen nga drejtimi i Arkivit të Shtetit, pasi ke shkelur rëndë Statusin e tij, sepse çdo komb ka dhe nderon heronjtë e tij dhe çdo komb ka zgjedhur një datë përkujtimi dhe nderimi sublim”, deklaroi Braho.