Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë masa për të futur në shina sistemin gjyqësor në vend. Vetingu po avancon dhe tregoi se ka shumë probleme drejtësia shqiptare. KLGJ ka miratuar Kodin Etik për sistemin gjyqësor, ku parashikon një sërë kufizimesh për njerëzit e drejtësisë. Së pari gjyqtarëve u ndalohen komentet në publik dhe bërja e kritikave. Pavarësisht çdo rasti ata duhet të shmangin komentet. Po ashtu nuk u lejohen dhurata dhe një sërë benefitesh të tjera që mund të kompromentojnë paanshmërinë e tyre. “Në kryerjen e detyrave gjyqësore gjyqtari është i paanshëm dhe duhet të duket i tillë. Gjyqtari gjykon me paanësi, i lirë nga çdo lidhje, prirje ose paragjykim që ndikon, ose mund të duket se ndikon, në aftësinë e tij për të gjykuar në mënyrë të paanshme. Në këtë kuptim, paanësia duhet të jetë e dukshme gjatë ushtrimit të funksioneve gjyqësore të gjyqtarit dhe aktiviteteve të tjera të tij në jetën private. Sipas këtij parimi gjyqtari: merr masa që sjellja e tij në gjykatë dhe jashtë saj të garantojë dhe rrisë besimin e publikut, praktikuesve të tjerë të ligjit dhe të palëve tek vetë gjyqtari dhe gjyqësori; shmang çdo lloj sjelljeje që mund të krijojë përshtypjen e anshmërisë”, thuhet në Kod. Më tej bëhet e ditur se gjyqtari nuk duhet të lejojë që gjykimi i tij të ndikohet nga presioni, frika, mendimi personal apo paragjykimi, nga ide paraprake mbi çështjen që ka për gjykim dhe as të promovojë
në mënyrë të papërshtatshme interesat e një pale, në dëm të palës tjetër. Po ashtu duhet të shmangë situatat që në mënyrë të arsyeshme mund të perceptohen se çojnë drejt një
konflikti interesi. Sipas Kodit, gjyqtari mund të mos marrë pjesë në gjykimin e një çështjeje nëse ai çmon se nuk është në gjendje të gjykojë në mënyrë të paanshme ose një vëzhguesi të arsyeshëm mund t’i krijohet përshtypja që gjyqtari nuk është në gjendje ta gjykojë çështjen në mënyrë të paanshme
Komunikimi, dhuratat dhe qiratë
Sipas Kodit të Etikës, përveç rasteve të parashikuara me ligj, gjyqtari nuk duhet të iniciojë, lejojë apo të konsiderojë komunikimin ex parte jashtë seancës gjyqësore. Në rast se ndodh një komunikim i tillë, gjyqtari e ndan informacionin përkatës me palët e tjera të përfshira dhe kur është e mundur, siguron pjesëmarrjen e tyre, duke u dhënë mundësinë për t’u shprehur, nëse kërkohet. Po ashtu duhet të tregojë vetëpërmbajtje në mbështetjen publikisht apo shprehjen e kritikave të çfarëdo lloji dhe natyre ndaj pushteteve të tjera, përveç çështjeve që lidhen me reformën dhe funksionimin e gjyqësorit. “Duhet të shmanget nga bërja e komenteve mbi çështje të diskutueshme politike apo deklarata publike, të cilat mund të krijojnë përshtypjen se gjyqtari është i njëanshëm ose i ndikuar në një çështje të caktuar, duhet të jetë i kujdesshëm në marrëdhëniet që krijon për shkak të anëtarësisë së tij në shoqatat e gjyqtarëve, apo në shoqata kulturore, sportive, fetare ose të fushave të tjera duke shmangur ato marrëdhënie që mund të komprometojnë respektimin e imazhit të tij ose të sistemit gjyqësor”, thuhet në Kod. Më tej bëhet e ditur se gjyqtarët nuk duhet të pranojnë dhurata. Po ashtu specifikohet se banesat apo bizneset që mund të kenë nuk mund t’u jepen me qira avokatëve, për t’i kthyer në zyra avokatie. “Nuk duhet të pranojë dhurata, favore apo përfitime, për veten apo të afërmit e tij, të tilla
që mund të vënë në diskutim paanshmërinë e tij; nuk lejon që banesa apo çdo ambient privat në posedim faktik prej tij të përdoret nga avokatët ose praktikues të tjerë të ligjit për të pritur klientët e tyre”, thuhet më tej.






































