Bordi Drejtues i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB) zgjodhi si zv.kryetare të Bordit Drejtues zonjën Albana Dautllari.
Znj. Dautllari ka shërbyer si ambasadore e Shqipërisë në Këshillin e Evropës në Strasburg dhe përfaqësuese e Shqipërisë në Bordin Drejtues të CEB, që nga viti 2018.
Me më shumë se 20 vjet përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe punët e jashtme, Dautllari mori dhe vlerësimet e Guvernatorit të CEB, Rolf Venzel.
“E përgëzoj znj. Dautllari për zgjedhjen e saj dhe pres një bashkëpunim të frytshëm me të, dhe gjithashtu, edhe me Kryetaren e Bordit Drejtues, znj. Petrova, në përparimin e të gjitha çështjeve me interes për Bordin Drejtues dhe sigurimin e funksionimit të duhur të institucionit tonë”, tha Guvernatori Venzel.
Bordi Drejtues është organi më i lartë i Bankës. Ai përcakton orientimin e përgjithshëm për veprimtarinë e Bankës, përcakton kushtet për anëtarësimin në CEB, vendos për rritjen e kapitalit dhe miraton raportin vjetor, llogaritë dhe bilancin e përgjithshëm të Bankës.
Gjithashtu, Bordi zgjedh Kryetarin e tij dhe Kryesuesin e Këshillit Administrativ (organi tjetër kolegjial i CEB), si dhe emëron Guvernatorin dhe anëtarët e Bordit të Auditimit.