Kampionati vështirësohet/ Tirana dhe Kukësi tani rrezikojnë të mbeten jashtë Europa League

0
263

Kategoria Superiore ka luajtur 20 javë deri tani dhe deri në fund të garës mbeten për t’u zhvilluar edhe 16 javë të tjera. Kjo pasi formula e garës me katër faza mban gjithsej 36 xhiro, shpërndarë në katër faza me nga nëntë javë gjithsej. Tani që kampionati ka hyrë në pjesën e dytë të tij, duket se klubet po bëjnë bilancet paraprake dhe ka një element që i ka hedhur poshtë të gjithë parashikimet. Vllaznia që shihej si skuadër për mbijetesë vijon të jetë në krye dhe një pretendente për titull, Partizani që e nisi shumë keq sezonin dhe pa elementë cilësorë është skuadra që po sulmon fort kreun dhe do titullin, kurse dy klubet ë e nisën edicionin si pretendentë absolutë për trofeun, Tirana dhe Kukësi, jo vetëm kanë zhgënjyer totalisht, duke qenë praktikisht jashtë garës për titull, por rrezikojnë të mos kapin as zonën europiane në renditje, pra mund të digjen për të qenë në Europa League. Kjo pasi këto ekipe janë respektivisht 12 dhe 15 pikë larg kreut, diferencë që nuk u jep përparësi në fazën e fundit të garës.

Situata

Gara për titull është më e ashpër se kurrë dhe kjo nga ndalesat e njëpasnjëshme të Vllaznisë kryesuese që lejon kundërshtarët të shkurtojnë diferencën e krijuar disa javë më parë. Pas 20 javë kampionati diferenca e kreut me vendin e 4 reduktohen në 5 pikë teksa katërshja e parë e klasifikimit ende nuk ka nisur përballjet direkte në këtë fazë të tretë. Shkodranët kanë qenë një skuadër shumë kompakte dhe dëfryese në lojën e zhvilluar por në javët e fundit ka stepje jo vetëm në rezultatet e marra por edhe në mënyrën e lojës. Mungesat kanë filluar të ndihen me skuadrën që po tregon limitet e veta ndërkohë që aktualisht po përjeton momentin më negativ të sezonit, atë që i ndodh çdo skuadre. Por nëse Vllaznia është në momentin më të keq kjo nuk mund të thuhet për ndjekësit. Laçi është skuadra e momentit në Superiore pasi është i vetmi ekip që ka 5 fitore radhazi, një ecuri që ka ngjitur kurbinasit në klasfikim duke risjellë pretendimet e fillimsezonit. Tirana, Teuta, Vllaznia, Bylis dhe Kastrioti janë kundërshtarët e nënshtruar këto javë, që të 5 me rezultate minimale. 3 fitore radhazi kanë marrë Partizani dhe Teuta që janë aty pranë shkodranëve, me të kuqtë që përpara kësaj ecuria nuk përfituan nga përballja direkte me Vllazninë, duke u ndalur në barazim. Të 4 ekipet e kreut do të kenë nga 2 përballje direkte deri në fund, duke bërë që gara për titull të jetë më e ndezur dhe me shumë të panjohura.

Kukësi ka humbur “orbitën”

Kukësi, zhgënjimi i madh i këtij sezoni. Kukësi llogaritej në startin e garës si një nga pretendentët kryesorë, për shkak të cilësisë së grupit, stafit etj, por ka zhgënjyer tërësisht. Kukësi i këtij sezoni nuk po gjen paqe, rezultatet e mira rrallë herë kanë patur jetëgjatësi, dhe kjo ka ndikuar sezonin që edhe pse sapo ka kaluar gjysmën duket i dështuar, gjithmonë përsa i përket kampionatit. Tre trajnerë të ndryshuar, me Gegën që u largua, Hallaçi që u vendos si një trajner që e njeh ambientin, por që nuk e pati besimin e drejtuesve deri në dhe tashmë me Josën, ndonjë shkëndijë tek-tuk ka ardhur, por asnjëherë blutë nuk kanë qenë bindës. Mungesa e qëndrueshmërisë ka qenë kryefjala e sezonit tek Kukësi, madje aq i paqëndrueshëm është ekipi saqë ka shpesh luhatje jo vetëm nga ndeshja në ndeshje, por edhe brenda një takimi. Edhe ndaj Partizanit alternoi momente të mira me momente përgjumjeje. Ka specialistë që thonë se Kukësi është akademik dhe jo grintioz, ndoshta duke iu rikthyer emrit të vjetër të klubit ky është “përparim”, por ndonjëherë duhet të luftosh dhe ta lësh pa mënjanuar filozofinë e butë akademike. Blutë kanë 7 pikë nga vendi i 4-ët, me këtë renditje rrezikojnë që për herë të parë qëkur u ngjitën në Superiore në 2012-ën, të mos sigurojnë Europën nëpërmjet kampionatit, ndoshta ka ardhur momenti që strategjia e “ndryshimit total” në çdo sesion të merkatos të ndryshojë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here