Mjeku i njohur Edvin Prifti dhe infermierja T.Frangu, të dy punonjës në QSUT, në shërbimin e kardiologjisë janë pezulluar nga detyra.
Mësohet se emri i Priftit ka dalë në dritë gjatë hetimeve për rastin e lirimit të një të dënuari me 25 vite nga burgu i Fushë Krujës, për të cilën u arrestuan 10 persona, mes tyre dhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha.
Teksa sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallkuçi ishte nën përgjim për lirimin e Saimir Petanit, ajo ka komunikuar me mjekun Prifti dhe i ka dhënë atij para për një operacion jashtë radhe që ai do ti kryente nënës së saj në QSUT.
“Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal”, njofton policia.