Një vit nga pandemia dhe OBSH ka bërë bilancin e kësaj periudhe të vështirë për të gjithë botën. Në një deklaratë të posaçme për shtyp, Dr. Hans Henri P. Kluge, Drejtori i OBSH për Europën thotë se në Europë janë mbi 26 milionë raste të konfirmuara me COVID-19 dhe mbi 580 mijë vdekje.
Ai shprehet se shifrat janë ende shqetësuese. “Kur ka shenja të stabilizimit apo edhe uljes së incidencës në disa vende, kjo duhet të merret me kujdes. Ndikimi i periudhës së festave, i mbledhjeve të familjeve dhe komuniteteve, dhe çdo relaksim i distancës fizike dhe sjelljes së maskës për shembull, ende nuk mund të përcaktohet. Aktivitetet e testimit dhe njoftimit mund të kenë qenë gjithashtu më të ulta gjatë sezonit festiv, duke rezultuar në një pasqyrë jo të plotë të situatës aktuale epidemiologjike. Vlerësimi i zhvillimeve gjatë ditëve aktuale para heqjes graduale të çdo mase të vendosur është qasja e kujdesshme që kërkohet”, ka thënë Kluge.
Sipas tij 2021-shi nuk sjell vetëm mundësi dhe mjete të reja, siç është vaksina, por dhe sfida të reja që sjell vetë virusi.
Ai i referohet variantit të ri të COVID-19 që u shfaq së pari në Britani e që sipas OBSH tashmë ka arritur në 22 vende . “Ky variant është “shqetësues” pasi ka rritur transmetueshmërinë. “Deri më tani, ne e kuptojmë se nuk ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm në sëmundjen që prodhon kjo variant, që do të thotë se COVID-19 nuk është më shumë, as më pak, e rëndë. Ajo përhapet në të gjitha grupmoshat, dhe fëmijët nuk duket të jenë në rrezik më të lartë”, tha ai.
Sipas Kluge kjo është një situatë alarmante dhe për një periudhë të shkurtër kohe do të duhet të bëjmë më shumë se sa kemi bërë duke intensifikuar masat e shëndetit publik.









































