Partizani ia ka dalë t’i bëjë ballë me sukses deri tani rivalitetit në Kategorinë Superiore, edhe pse në hapat e parë të edicionit nuk shihej aspak favorit e pretendent, si pasojë e mungesës së merkatos së verës, ngaqë UEFA e penalizoi për rastin “Çinari”. Pra, Partizani nuk mundi të afrojë elementët e dëshiruar dhe pasojat janë të dukshme. Megjithatë, trajneri Ilir Daja, me eksperiencën dhe aftësitë e tij, ia ka dalë mbanë të mbajë Partizanin në pozicione të larta në renditje, pra në grupin e pretendentëve, duke sfiduar kështu edhe më skeptikët. Ai nuk ka shumë lojtarë në dispozicion dhe në çdo rast lutet të mos ketë dëmtime apo infektime me virus, pasi skuadra ka një numër të kufizuar lojtarësh të cilët për Dajën janë shumë të rëndësishëm. E megjithatë, Partizani nuk pyet për mungesa. Ai është skuadër e fuqishme dhe di të përballojë me sukses rivalitetin në garë dhe të qëndrojë me objektiva pretendenteje. Së shpejti është një duel i fortë me Kukësin, që shihet si një finale e parakohshme e kampionatit. Kështu, Partizani këtë të diel do të luajë ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Kukësit, në Elbasan. Të kuqtë vijnë pas suksesit me Kastriotin dhe do të kërkojnë që fitores t’i japin vështirësi edhe pse verilindorët janë një kundërshtar i vështirësisë maksimale. Gjithsesi, të besuarit e trajnerit Ilir Daja do të kenë në mëndje veç rezultatit, edhe kujdesin sa i përket kartonëve të verdhë. Kjo pasi janë tre futbollistë të rëndësishëm ata që nëse ndëshkohen, atëherë do të mungonin për ndeshjen e fundit të vitit në transfertë ndaj Laçit. Fjala është për Esat Malën, sulmuesin Solomon dhe Jasir Asani. Të tre këta lojtarë duhet të jenë disi të përmbajtur për të dhënë kontribut deri në ndeshjen e fundit të 2020. Trioja MAS, duket se është shpëtimi i Partizanit për këtë edicion
Ibraimi: Kukësi më i fortë se Partizani
Ndërkohë që tek Partizani vijon puna për të përgatitur si duhet ndeshjen e radhës, në kampin kuksian gjërat duken më lehtë, pasi Kukësi ka një ekip me më shumë kualitete dhe ka mundur të bëjë ndërhyrje në kohë për të pasur grup më të plotë se “demat e kuq” të Partizanit. Kështu, sulmuesi kryesor, Agim Ibrahimi, jo vetëm për shkak të eksperiencës dhe karrierës së spikatur, por edhe me paraqitjen e deritanishme ka treguar se Kukësi ka një lider në gjirin e vet. Në një prononcim që ka dhënë për “Ora News”, Ibrahimi fillimisht është ndalur te ndeshja me Tiranën. “Ishte një ndeshje shumë e fortë, e dinim që Tirana ka një ekip cilësor. Detyrat e trajnerit i kemi zbatuar në fushë, por fati nuk deshi që të merrnim tre pikët. Gjithsesi, ne jemi në rrugën e duhur dhe duhet t’i marrim të gjitha ndeshjet me seriozitet, që të arrijmë objektivat që kemi”, theksoi ai. Më pas Ibraimi flet për duelin e së dielës me Partizanin, duke besuar se Kukësi është skuadër më cilësore dhe do ta fitojë takimin. “Nëse zbatojmë detyrat e Gegës, tre pikëshi do të jetë i yni. Unë jam i habitur me Superioren pasi kampionati shqiptar është shumë i fortë dhe luaj me shumë kënaqësi edhe në stërvitje. Kampionati shqiptar ka të njëjtën ritëm me atë në Slloveni, edhe mediat e bëjnë shumë të bukur. Këtu janë pesë ekipe shumë të forta që synojnë të dalin kampion. Unë jetoj në kryeqytet me gruan time dhe është shumë bukur. Kemi mësuar shumë prej asaj ndeshje, kemi shumë respekt për Partizanin, por kemi motivin dhe qëllimin për të marrë tre pikët”, shtoi ai. Sulmuesi në fund flet për bashkëpunimin e deritanishëm me Kukësin, duke iu rikthyer çështjes se cili e bindi që të firmoste për klubin verilindor. “Nderim Nexhipi më kishte thënë që nuk duhet ta mbyll karrierën pa luajtur njëherë në futbollin shqiptar. Jam këtu dhe shumë i lumtur. Gjici? Kam fjalët më të mira për të, gjithmonë kur na ka shoqëruar në takime na ka mbështetur, në ato takime të para që nuk kemi marrë rezultatet e duhura. Na ka thënë që nuk duhet ta ulim kokën poshtë pasi ne jemi Kukësi”, tha Agim Ibraimi, një nga lojtarët e spikatur të Kukësit dhe në Superiore.