Mozaiku “Qilimi i Apolonisë” i zbuluar në 1959, specialistët në punë për evidentimin e patologjive dhe hartimin e projektit për ndërhyrjen konservuese

0
321

Mozaiku “Qilimi i Apolonisë” duhet të bëhet i ekspozueshëm për vizitorët. Ky është një nga qëllimet e projektit për mozaikun e rrallë. Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar po punojnë për evidentimin e patologjive dhe hartimin e projektit për ndërhyrjen konservuese dhe ekspozuese të mozaikut. Një nga pasuritë e veçanta të trashëgimisë sonë kulturore, mozaiku “Qilimi i Apolonisë” sipas institucioneve nuk duhet mbajtur fshehur, por të jetë i vizitueshëm. Specialistët e IKTK Agron Islami, Klejdi Zguro dhe Gjergj Gjuraj janë në grupin e punës, që këto ditë po punojnë për fotografimin dhe dokumentimin grafik të mozaikut. Sipas tyre, për të vijuar më pas dhe me hartimin e projektit të ndërhyrjes konservuese në mozaikun, që qëndronte “fshehur” në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar. Specialisti Agron Islami mjeshtri i mozaikëve, tregon se prej vitesh në mozaikun “Qilimi i Apolonisë” nuk është ndërhyrë. Sipas Islamit, para një dekade u tentua të bëhej një ndërhyrje në mozaikun që sot ndodhet në MHK. “Ndër vite nuk është ndërhyrë në mozaik. Në vitin 2010 një kolegia ime tentoi të bënte një ndërhyrje. Por kërkesa për të qenë i vizitueshëm dhe ndërhyrje ishte e mirë. Ne jemi duke punuar dhe kjo është një punë përgatitje për hartimin e projektit, që do të ndërhyhet. Mozaiku ka një histori. Është zbuluar në 1959 nga ekspedita e përbashkët shqiptaro-ruso”, tregon specialisti Agron Islami, për mozaikun që u zbulua në Apoloni dekada më parë.

Puna me mozaikun

Pjesë e grupit të punës, specialisti Klejdi Zguro thotë se mozaiku “Qilimi i Apolonisë” ka pak ditë që është hapur, ku ende puna është në fazën e përgatitjes për dokumentacionin për të evidentuar dhe problemet. “Ka dy ditë që mozaiku është hapur dhe jemi në përgatitjen e dokumentacionit fotografik dhe grafik për të diagnostifikuar çfarë problematikash janë. Jemi akoma në këtë fazë, duhet të bëhet dokumentimi dhe me radhë të gjitha procedurat për tu përgatitur më pas për projektin e konservimit”, shprehet Zguro në një reagim të tij. Për specialistin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, qëllimi final i projektit të ndërhyrjes është përmirësimi i gjendjes së mozaikut dhe të bëhet i vizitueshëm në Muzeun Historik Kombëtar. “Qëllimi final i ndërhyrjes konservuese është përmirësimi i gjendjes së mozaikut ku ndodhet sot te Muzeu Historik Kombëtar, përmirësimi i imazhit estetik të tij dhe kthimi në objekt të vizitueshëm dhe të ekspozueshëm për vizitorët. Mozaiku “Qilimi i Apolonisë” ka qenë i mbuluar. Mozaiku ka shumë rëndësi dhe është një vlerë e paçmueshme, sepse Shqipëria ka shumë mozaikë”, thotë specialisti Zguro. Mozaiku i Apolonisë i shekullit III ka një histori interesante. I zbuluar në vitin 1959 në Apoloni nga gërmimet e përbashkëta shqiptaro-sovjetike, ai u zhvendos në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në vitet ’80, me qëllimin për ta ekspozuar në Gjermani. Kjo gjë u bë e pamundur dhe ky mozaik nuk u kthye më Apoloni, por mbeti në ambientin e brendshëm të Muzeut Historik Kombëtar. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka publikuar disa foto të mozaikut dhe një status të ministres Elva Margariti. Ministrja bën me dije për punën e specialistëve dhe e cilëson një nga mozaikut e rrallë, që është një mrekulli që nuk duhet mbajtur fshehur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here