ILDKP do të drejtohet nga një grua/ Përfaqësuesi i PS tërhiqet në momentet e fundit, ja dy emrat që do të votohen në seancë

0
430

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave nga viti që vjen do të drejtohet nga një grua. Në shkurt të vitit 2021 kreu aktual Shkëlqim Ganaj mbyll mandatin në krye të Inspektoratit dhe pritet që detyrën t’ia delegojë një prej vartësve të tija. Komisioni i Ligjeve zhvilloi ditën e djeshme mbledhjen nga ku u prezantuan 5 kandidatët të cilët synonin të ishin në krye të Inspektorit të Lartë të Kontrollit të pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Emrat e kandidatëve në garë ishin: Evis Fico, Dhimitrula Spiros, Evgjeni Bashari, Helena Papa, Lefterie Luzi dhe Sali Fehu. Tre emrat e përzgjedhur nga komisioni që do t’i shkonin Kuvendit ishin Eridjan Salianji, Evgjeni Bashari dhe Helena Papa, por pasi Eridjan Salianji, funksionar i Partisë Socialiste është tërhequr nga gara Komisioni i Ligjeve kualifikoi Evgjeni Basharin dhe Helena Papën, njëra prej të cilave do të jetë në krye të ILDKP-së për 7 vitet e ardhshme.

Kush është Helena Papa

Helena Papa, aktualisht mban pozicionin e Drejtorit të Kabinetit të Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ajo ka një eksperiencë të spikatur mbi 10-vjeçare në fushën e drejtësisë, antikorrupsionit, qeverisjes së mirë, si dhe lirive dhe të drejtave të njeriut. Papa ka përfunduar studimet e larta në fushën e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës 1997-2001 si dhe studimet të plota në të drejtë franceze dhe europiane në nivel Master II në Universitetin e Besancon, Francë 2003-2006. Eksperienca profesionale përfshin punën si avokate 2001-2003, koordinatore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit pranë Departamentit të Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsion në Kryeministri 2008-2014, drejtor kabineti pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave 2014-2016, eksperte ligjore në projektin e Bashkimit Europian në Azerbajxhan 2016-2018, si dhe drejtuese projekti e Këshillit të Europës në fushën e të drejtave të njeriut 2018-2019. Papa ka qenë edhe si eksperte ndërkombëtare në fushën e antikorrupsionit, çështjeve të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, duke kryer ekspertiza dhe raporte vlerësuese për vende si Bullgaria, Estonia, Maqedonia e Veriut, Belgjika, Armenia, Azerbajxhani dhe Serbia dhe organizata të ndryshme si Delegacioni Bashkimit Europian, GRECO/Këshilli i Europës, Shkolla Rajonale e Administratës Publike, Iniciativa Rajonale Antikorrupsion, UNODC, OECD etj. Ajo ka qenë lektore e jashtme dhe trajner në Shkollën e Administratës Publike.

Karriera e Evgjeni Basharit

Edhe Evgjeni Bashari ka një karrierë shumë të pasur. Ajo momentalisht është Sekretare e Përgjithshme në ILDK. Po ashtu ka punuar për një kohë të gjatë në shumë organizata ndërkombëtare. Ajo ka qenë eksperte pranë misionit EURALIUS, i cili asiston sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Kompetencat e Inspektoratit

 Sa u takon kompetencave, Inspektori i Përgjithshëm drejton Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për të kontrolluar deklarimin dhe legjitimitetin e burimeve të pasurive të deklaruara dhe konfliktit të interesave nga subjektet e parashikuara nga ky ligj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai njofton, rast pas rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesit e institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në deklarimin e pasurisë nga punonjësit në juridiksionin e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here