Gjykata Speciale vijon të kënaqë serbët, lihet në burg Hashim Thaçi, avokatët flasin për gijotinë nga prokuroria

0
312

Gjykata Speciale vijon të kënaqë serbët sa i takon procesit ndaj ish-liderëve të UÇK. Ditën e djeshme u mbajt seanca e radhës gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Edhe kjo seancë u shoqërua me tensione dhe akuza të forta nga avokatët, të cilët kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin e dosjeve, ndërsa prokuroria kërkon që gjykimi të nisë së më shpejt duke mos i lënë aspak kohë mbrojtjes të shqyrtojë provat. Nga ana tjetër dje u kërkua lirimi nga paraburgimi i ish-presidentit Hashim Thaçi, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata duke e lënë atë në burg. Prokuroria në Hagë i ka dorëzuar mbrojtjes 1309 materiale shfajësuese, por avokatët në përgjigje të kësaj deklarate kanë thënë se janë të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme. Avokati i Hashim Thaçit u shpreh se këto materiale nuk specifikohen nëse janë krime lufte apo krime njerëzimi. “Janë të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme. Nuk ka tregues për informacionin që jepet aty, për personin që shikon. Kur thotë për krimet bazë, a është e përshtatshme, çfarë lidhjesh, çfarë sjelljesh. Janë bërë punë në përgjithësi dhe jo të specifikuara që e kemi ngritur si mbrojtje. Cili i akuzuar, pse nuk e specifikon është krim lufte apo kundër njerëzimit. Duhet të dimë se ku është gjetur dokumenti dhe kush e ka pasur në dorë atë”, tha avokati i Thaçit. Prokuroria ka dërguar kërkesën e saj që dosjet të dorëzohen në gjykatë në qershor ose në korrik me kushtin që gjykimi të nisë në shtator. Një gjë e tillë është konsideruar absurde nga të gjithë avokatët mbrojtës.

Reagojnë avokatët

Avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, Ben Emmerson reagoi ashpër ndaj Prokurorisë duke e quajtur “gijotinë” kërkesën e saj që gjykimi të fillojë në shtator. “Kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe absurde. Duhet të ndalet kjo gijotinë e Prokurorisë. Ajo që avokati Tiger tha, është shqetësim mjaft i rëndë. Habitem se si prokuroria i jep këto përgjigje. Është një parashtrim shokues, ka vetëm një arsye, që të kufizojë mundësinë e mbrojtjes për përgatitje, në qoftë se rregullat thonë që për një gjykim mbrojtja duhet të ketë pak kohë për përgatitje është në rregull, por nuk e thonë. Afati përcaktohet nga kompleksiteti i rastit”, tha Emmerson. Ai ka paralajmëruar që bashkëngjitur me kërkesën për lirim të klientit të tij, Veselit, do të dorëzojë edhe prova që dëshmojnë se përgatitjet për mbrojtje në raste të tilla kanë marrë deri në 3 vjet e gjysmë. Ka përmendur edhe gjykimin e Ramush Haradinajt në Hagë. “Është qesharake, është përpjekje e prokurorisë për të pasur një gjykim të padrejtë”, shtoi avokati i Veselit.

Flet avokati i Thaçit

Gjithashtu reagoi dhe avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi. David Hopper tha se kur ka dëgjuar prokurorinë që tha se dosjen e plotë gjyqësore do e publikonin 2-3 muaj para, nuk e besonte atë që po dëgjonte. Sipas Hopper duhet një afat prej 18 muajsh minimumi që të shihet ekipi i përgatitur për procesin gjyqësor. Ai tha se është e pakonceptueshme mënyra sesi ky gjyq mund të bëhet kështu. “Afati 18 mujor është minimumi që ne parashikojmë për të filluar për të shikuar nëse do kemi ekipin për t’u përgatitur për procesin gjyqësor që mund të fillonte në verën e vitit 2022. Tek dëgjoj z. Tiger më duhej ta pickoja veten nëse isha në ëndërr apo jo. Vërtet po thotë se mund të bëhet kështu ky gjyq! Kjo është e pakonceptueshme! Sigurisht unë e mbaj mendjen e hapur, por dua që t’ju them se këto fjalë të prokurorisë janë zhgënjyese. Do të duhen të paktën 18 muaj që të hetojmë këtë çështje. Ky është realiteti. Z. gjykatës e ka thënë që s’mund ta caktojë sot datën e çështjen”, tha avokati i Thaçit. Ish-presidenti Hashim Thaçi dërgoi një kërkesë në Prokurori për t’u gjykuar me liri, po ashtu të njëjtën kërkesë ka dërguar ekipi i Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga Prokuroria dhe një fakt të ditur e ka bërë Zyra e Prokurorisë në Hagë, gjatë seancës së djeshme të zhvilluar në Hagë. Të njëjtin vendim, organi i akuzës deklaroi se do të merret edhe për kërkesën e njëjtë që ka bërë edhe ekipi i Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa ish-kryeparlamentari Kadri Veseli nuk e ka bërë ende një kërkesë të tillë, e për rrjedhojë nuk ka një vendim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here