Specialja po tregon edhe njëherë se është në favor të Serbisë dhe po godet çlirimtarët e Kosovës, duke kërkuar gjykim sa më shpejt. Pas arrestimit të katër lidërve të UÇK dhe bastisjes së shtëpive, Prokuroria Speciale po këmbëngul në të tjera hapa që hedhin poshtë të vërtetën e tyre dhe u shtojnë përkrahje serbëve që kryen në të vërtetë masakër në Kosovë. Ditën e djeshme, përmes një njoftimi publik, zyra e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale ka paraqitur shtatorin e vitit 2021 si datën më të vonshme për fillimin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Në këtë njoftim që përmban theksohet se ky gjykim duhet të nisë para shtatorit të vitit të ardhshëm. Nuk thuhen arsyet konkrete pse Haga kërkon këtë gjykim të nxituar, gjithsesi lëvizjet e deri tanishme flasin vetë dhe nuk është e vështirë për t’u kuptuar se kjo kërkesë është një tjetër plotësim teke për Serbinë. Po ashtu në këtë parashtresë thuhet se mbrojtja duhet të ketë mundësinë që të përgatitet për gjykim. “Mbrojtja duhet të ketë mundësi për t’u përgatitur për gjykim, por duke pasur parasysh atë që ka ofruar mbrojtja, dhe kjo duhet të marrë muaj, jo vite. Për këtë arsye, kryeprokurori njofton që gjykimi të fillojë këtë verë dhe jo më vonë se muaji shator i vitit 2021”, thuhet në njoftim. Sakaq, kujtojmë këtu se, në seancën e parë statusore të mbajtur në 18 nëntor 2020, avokatët e të akuzuarve kishin kundërshtuar këtë qëndrim duke thënë se atyre u duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për rastin. Disa prej tyre kanë përmendur vitin 2022 si më idealin për të nisur gjykimi, por edhe ky afat ishte sërish i diskutueshëm, kur bëhet fjalë për të tilla çështje dhe akuza. Sigurisht Serbia vazhdon të mos reagojë për aq kohë sa qetë-qetë po i përkëdhelet egoja.
Skandalet e Hagës
Por përveç veprimeve të padrejta të cilat evidentohen lehtë, Prokuroria Speciale fsheh dhe një sërë skandalesh të tjera që çalojnë dhe cenojnë të vërtetën. I pari që nxori në pah këto skandale ishte avokati Musa Damati në mbrojtje të ish-luftëtarëve të UÇK. Në një intervistë televizive ai tha se, Gjykata e Hagës po vepron në mënyrë jo-profesionale në trajtimin e kësaj çështjeje. Për të përforcuar këtë argument Damati tha se në akuzë nuk përmendet fare “Shtëpia e Verdhë” dhe as ndonjë provë ndaj tyre të gjetur në këtë banesë. Por, sipas tij, Haga po vepron vetëm në bazë të pretendimeve të saj pa fakte konkrete. “Procesi i seancës gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, është jo profesional dhe spektakël i tepruar me rastin e ndërmarrjes së veprimeve procedurale dhe operacionale në kryerjen e funksionit të saj. Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë pretendimet e saj lidhur me Kadri Veselin, Hashim Thaçin dhe të tjerët i ka devijuar komplet hetimet e saj nga e ashtuquajtura “Shtëpia fantomike e Verdhë”. Kjo pasi që duke u bazuar në aktakuzën publike nuk figuron askund e ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë” dhe nuk është gjetur asnjë provë e vetme lidhur me këto hipoteza, duke arritur kështu në përfundimin se ‘Shtëpia e Verdhë’, ka qenë trillim i pastër i ndikuar nga politika bizare”, tha Damati. Ndërsa për avokatin e licencuar nga Gjykata Speciale, Vigan Rogova faktet e paraqitura nga Haga janë të paqëndrueshme dhe nuk vlejnë, për aq kohë sa paraqitja e të akuzuarve është korrekte dhe plotësuar nga mbrojtësit e tyre. Prandaj ai kërkoi që të analizohen qëndrimet e Hagës. “Mendoj se procesi i deritashëm i paraqitjes të të akuzuarve ka qenë korrekt dhe në nivel. Duhet theksuar se të gjithë të akuzuarit kanë ekipe profesionale të avokatëve më me renome në fushën e të drejtës penale. Sa u përket pretendimeve të prokurorisë ato mbeten të vërtetohen nëse janë të qëndrueshme gjatë procesit gjyqësor, me dëgjimin e dëshmitarëve dhe shqyrtimin e provave materiale. Në këtë fazë të procedurës është vështirë të parashihet se sa këto pretendime mund të jenë të qëndrueshme”, deklaroi avokati Rogova.










































