Universitet në vend do të nisin sot vitin e ri akademik, i cili do të jetë shumë ndryshe. Për shkak të pandemisë në auditore do të jenë vetëm vitet e para, ndërsa vitet tjera do ta zhvillojnë mësimin online. Për të dhënë më shumë detaje mbi këtë çështje dje dha një mesazh për studentët rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha. Rektori i siguroi studentët se stafet pedagogjike janë përgatitur mirë që të zhvillojnë si duhet mësimin online, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur nga infektimi me koronavirus edhe studentët edhe pedagogët. Sakaq ai tha garancinë që pavarësisht kushteve të vështira ky vit akademik do të mbyllet me cilësinë e kërkuar. “Viti akademik 2020-2021 është një fillim viti ndryshe, e ndikuar nga situata e përgjithshme e zhvillimit të pandemisë, për shkak të përhapjes së virusit Covid-19 dhe që na ka detyruar t’i përgjigjemi situatës, për të vazhduar proceset akademike, në kushtet e imponuara. UT ka marrë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të studentëve, por edhe për stafet në universitet. Stafet kanë marrë përsipër që të zhvillojnë proces mësimor normal, pavarësisht të papritura që mund të sjellë kjo pandemi. Jam i bindur se edhe ky vit do të jetë i suksesshëm, falë punës së secilit koleg”, deklaroi. Më tej, Hoxha tregoi se do bëjnë të pamundurën që studentët të kthehen shpejt në auditore, duke theksuar këtu se në universitet është organizuar çdo gjë që studentët të jenë të mbrojtur dhe të zbatohen plotësisht masat anticovid. Sakaq, ai u bëri thirrje studentëve të regjistrohen në platformat online për të vijuar rregullisht me procesin mësimor. “Të nderuar studentë, ju uroj shumë suksese, sidomos studentëve që hyjnë për herë të parë në ambientet e Universitetit të Tiranës. Bëj thirrje që të tregohet kujdes në zbatimin e rregullave për t’u mbrojtur nga ky virus. Janë marrë masa ndaj Covid-19, sipas protokolleve ndërkombëtare. Do të doja që mësimi të zhvillohej në ambientet tona, por se ky vit akademik nis online, por besojmë se do kthehemi së shpejti në mjediset universitare. Ju bëj thirrje të regjistroheni në platformë duke ndjekur udhëzimet që u janë dërgua”, deklaroi ndër të tjera rektori Hoxha.
Letra për universitetet
Nga ana tjet?r gazeta ka siguruar një shkresë që Ministria e Arsimit u ka dërguar të gjitha universiteteve në vend. Shkresa mban datën 30 tetor dhe u është dërguar si universiteteve publike dhe atyre private, ku informohen se si duhet të procedohet me mësimin për shkak të Covid. “Ministria e Arsimit, vlerëson punën përgatitore dhe të gjitha masat e marra deri me tani nga IAL-të në respektim të akteve rregullatore, lidhur me protokollet higjieno sanitare mbi parandalimin e përhapjes se infeksionit COVID-19. Por ju bëjmë me dije se, ne vijim të propozimit të datës 29.10.2020 të Komitetit Teknik të Ekspertëve, për zhvillimin e procesit mësimor vetëm në distancë dhe pa prezencë fizike për një muaj nga institucionet e arsimit të lartë, MASR me shkresë nr. 5838 prot, datë 30.10.2020 i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë që për studentët që fillojnë për herë të parë një program studimi, të lejohet prezenca e tyre në IAL, në grupe të vogla sipas një grafiku të përcaktuar, vetëm për javën e parë të vitit akademik 2020-2021, në përputhje me masat e protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe MSHMS-ja, me qëllim që këta studentë të njihen me rregullat e funksionimit të procesit mësimdhënës pranë IAL-ve ku do të ndjekin programin e studimit dhe të njihen me procedurat e zhvillimit të procesit mësimdhënës në distancë”, thuhet në letër.







































