Përsëri probleme për Ronaldinjon, por këtë herë të paktën nuk kanë lidhje me shkeljen e ligjit e ndonjë ditë në burg. Këtë herë, Dinjo duhet të mendojë si të pastrojë sa më shpejt organizmin nga COVID-19. Ish-futbollisti ka bërë të ditur se ka rezultuar pozitiv ndaj infeksionit në testimin e fundit që ka kryer.
Nëpërmjet një postimi në rrjetët sociale, Ronaldinjo ka sqaruar se ishte shumë mirë dhe se nuk kishte shqetësime të mëdha nga virusi i cili po mban në ankth të gjithë botën. Ish-lojtari i PSG, Barcelonës e Milanit, ka shpjeguar se tashmë do të duhej që të mbyllej në karantinë e nuk mund të merrte pjesë në një aktivitet në Belo Horizonte.
Ronaldinjo ka qenë në telashe të mëdha financiare dhe si rrjedhojë, aktivitetet e tilla e ndihmonin që të siguronte të ardhura për të shlyer disa nga borxhet që ka krijuar në vite e sidomos mospagesa e taksave e detyrimeve ndaj shtetit brazilian.