Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrinti 2000” për shkak të situatës me pandeminë e pati të pamundur të zhvillohej, në edicionin e 18. Por një film dokumentar do të fillojë të shfaqet së shpejti për publikun kushtuar festivalit “Butrinti 2000”, që prej vitesh zhvillohej në parkun e Butrintit. Filmi dokumentar “Future Begins Today” i është kushtuar festivalit ndërkombëtar të teatrit “Butrinti 2000” me materiale nga viti 2000 kur zhvilloi edicionin e parë dhe deri në vitin 2020, ku janë materiale të veprave që do të merrnin pjesë në festival. Filmi dokumentar do të shfaqet në qytete të Kosovës, në Beograd -Serbi, në Shkup- Maqedoni e Veriut, si dhe në Tiranë dhe Sarandë. Drejtor organizativ i festivalit Edmond Xhumari thotë se ky film u realizua dhe për faktin, që festivali ka një arkiv shumë të pasur ndër vite me shfaqjet e ndryshme që kanë qenë në skenën antike të Butrintit. ““E ardhmja fillon sot” është një film dokumentar kushtuar festivalit ndërkombëtar të teatrit “Butrinti 2000” ndër vite. Duke qenë se festivali “Butrinti 2000” ka një arkiv mjaft të pasur ndër vite duke filluar nga viti 2000, ky film dokumentar ka shfaqje të filmuara në skenën e teatrit antik të Butrintit, foto, konferenca shtypi, opininone nga artistë vendas e të huaj, etj, nga trupa profesioniste nga mbarë bota pjesëmarrëse në festival, nga viti 2000 deri në vitin 2019, si dhe materiale të shfaqjeve që ishin të planifikuara për programin e edicionit të 18. Ky dokumentar ka dhe një intervistë të z. Edi Rama në vitin 2000, që flet për rëndësinë e festivalit”, thotë Edmond Xhumari, një nga njerëzit që prej vitesh ka pasur vëmendje për ta sjellë festivalin “Butrinti 2000” për publikun. Filmi dokumentar ka mbaruar dhe nga data 16 deri më 30 tetor do të shfaqet në disa qytete, por Edmond Xhumari si drejtor organizativ i festivali thotë se kanë bërë një kërkesë për realizimin e tij në Ministri të Kulturës, por deri tani pa përgjigje. Në reagimin e tij Edmond Xhumari thotë se nga 70 orë materiale janë përzgjedhur vetëm 55 minuta. “Kemi bërë një kërkesë në Ministrinë e Kulturës për mbështetje, presim përgjigje. Ky dokumentar është mbështetur nga WBF. Do shfaqet në Gjakovë, Prishtinë, Shkup, Beograd, Tiranë dhe Sarandë. Janë vizionuar 70 orë për 55 minuta, që është filmi. Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar dhe Wonder Films e kanë bërë këtë film”, thotë ai. Filmi shfaqet më datë 16 tetor në Gjakovë, 17 tetor në Prishtinë në Kino Armata, 19 tetor në Shkup në Tetarin Kombëtar të Maqedonisë dhe 21 tetor në Beograd në “Teatri 78”. Sa i takon qyteteve të Shqipërisë, organizatorët kanë menduar që të shfaqet filmi në një tjetër moment.
Festivali ndër vite
Edicioni i 18-të i festivalit të Butrintit ishte planifikuar për tu zhvilluar në datat 8 -15 korrik, në teatrin antik në Butrint. Me gjithë përpjekjet e shumta të stafit organizativ dhe parterëve për ta realizuar festivalin me parametrat e përcaktuar në projektin e paraqitur pranë Ministrisë së Kulturës kushtëzuar nga situata pandemike covid – 19, ky aktivitet ndërkombëtar kulturor nuk do mund të organizohej si edicionet e kaluara. Në 17 edicionet e tij kanë marrë pjesë trupa teatrore nga Italia, Franca, SHBA, Anglia, Greqia, Rusia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria. Nga këto vende kanë pasur fatin të luajnë në skenën magjike të Butrintit rreth 2650 artistë, si dhe janë ndjekur nga rreth 65.500 spektatorë vendas e të huaj. Zhvillimi i edicioneve të mëparshme të festivalit ishin pa mëdyshje një sukses i prekshëm, që për nga vlerat e gjithanshme krijuan një jehonë të jashtëzakonshme në qarqet e kulturës evropiane, thuhet në faqen zyrtare të festivalit. Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrinti 2000” është cilësuar si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik.