Shtohen dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, KPK ndërpret vetingun për Zihni Shahun, ja argumentet që jepen

0
204

Shtohet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që japin dorëheqjen sapo njihen me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Hetimi administrativ në tre kritere: atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit u ka futur të dridhurat të gjithë të korruptuarve, të cilët refuzojnë që të hetohen. Gjyqtari i radhës i cili ka dhënë dorëheqjen është ai i Gjykatës së Elbasanit Z. Shahu. Ky i fundit ka dorëzuar pak kohë më parë në Këshillin e Lartë Gjyqësor një kërkesë, ku kërkon ndërprerjen e procesit të rivlerësimit. KPK ka zbardhur vendimin e ndërprerjes së procesit, ku jep edhe argumentet. Komisioni bën me dije se në datën 6 tetor gjyqtari Z. Shahu është njoftuar për gjetjet që janë konstatuar, ku dhe e kanë lajmëruar për të dalë në seancë dëgjimore. Po në të njëjtën datë, gjyqtari i është përgjigjur këtij njoftimi, ku kërkon ndërprerjen e procesit të vetingut. “Për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor dhe moscenimin e të drejtës së subjektit për t’u dëgjuar, bazuar në nenin 55 të ligjit nr. 84/2016, Komisioni, në rrugë elektronike, në datën 6.10.2020, i bëri me dije subjektit të rivlerësimit, z. Z. Shahu, se gëzon të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore dhe në rast të kundërt procesi i rivlerësimit ndaj tij do të ndërpritej pa seancë dëgjimore, duke i kërkuar të shprehet për sa më sipër. Pas dërgimit të njoftimit në lidhje me respektimin nga Komisioni të së drejtës për t’u dëgjuar, subjekti i rivlerësimit, z. Z. Shahu, nëpërmjet komunikimit elektronik të së njëjtës datë, 6.10.2020, shprehu qëndrimin se nuk dëshironte të dëgjohej në seancë dëgjimore”, thuhet në vendimin e KPK. Por duke u bazuar në ligjin për “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” e ka pranuar kërkesën e tij për dorëheqje, duke deklaruar përjashtimin e tij nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet. “Të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, z. Z. Shahu, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Ndalimin e emërimit të z. Z. Shahu si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. Ky vendim u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit, në përputhje me pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendimin e KPK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here