Ligji per Policine e Shtetit/Ja si policët e moshuar do të kalojnë roje objekti, forcat e rendit do përgjojnë në bashkëpunim me prokurorinë

0
324

Zbardhet projektligji final për Policinë e Shtetit. Komisionet parlamentare kanë miratuar draftin që pritet të votohet në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa ashtu siç gazeta e ka bërë me dije se edhe më parë Ministria e Brendshme u tërhoq nga nisma ligjore e mbrojtur me shumë patos nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas reagimeve të forta të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme, disa deputetëve socialistë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare apo juristëve të ndryshëm. Kështu që të ndodhur përpara kësaj situate, ministria u tërhoq dhe në draftin final e më konkretisht në nenin 7 thuhet se forcat e rendit do përgjojnë në bashkëpunim me prokurorinë. “Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese, me qëllim parandalimin e veprave penale, zbulimin e veprave penale, identifikimin apo lokalizimin e autorëve të tyre, Policia e Shtetit merr, grumbullon, përpunon dhe dokumenton informacion dhe të dhëna nëpërmjet: Mbikëqyrjes së veçantë zanore të komunikimeve jo-elektronike të personave të dyshuar në ambiente publike apo të hapura për publikun; Mbikëqyrjes së veçantë vizuale të personave të dyshuar në vende publike apo të hapura për publikun; Gjurmimit apo mbikëqyrjes së veçantë të personave të dyshuar nëpërmjet përdorimit të mjeteve, pajisjeve apo teknikave të veçanta për identifikimin apo lokalizimin të vendndodhjes së tyre. 2) Kushtet, rregullat, procedurat dhe afatet që zbatohen për përdorimin e masave të veçanta, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesit të SPAK”, thuhet në projektligjin final.

Policët e moshuar do të kalojnë roje objekti

Por projektligji i ri për Policinë e Shtetit duket se u ka hapur rrugë edhe lëvizjeve në radhët e Policisë së Shtetit. Në draftin final përcaktohet mënyra se si punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kanë vjetërsi pune dhe janë drejt pensionit, do të kryejnë shërbimin në ambientet e shkollave, për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Po ashtu, policët mund të lëvizin edhe brenda administratës shtetërore, duke humbur kështu privilegjet që iu jep statusi i policisë. “Punonjësi i policisë mund të transferohet në funksione të ndryshme në struktura të tjera shtetërore, në rast se kjo kërkohet ose miratohet nga autoritetet zyrtare përgjegjëse, në përputhje me kriteret e parashikuara për çdo funksion; Gjatë kohës që punonjësi i policisë shërben si i transferuar në pozicione të ndryshme jashtë strukturës së Policisë së Shtetit, ai nuk gëzon atributet që lidhen me statusin e policisë gjyqësore dhe as ato që lidhen me statusin e punonjësit të Policisë së Shtetit; Në rastet kur punonjësi i policisë transferohet në Administratën Publike, ai emërohet në funksione me nivel ekuivalent me gradën e tij policore. Ekuivalentimi i gradave të Policisë së Shtetit dhe Administratës Publike për qëllime të zbatimit të këtij ligji bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave; Punonjësi i policisë, i transferuar sipas këtij neni, mund të rikthehet në detyrë brenda strukturave të Policisë së Shtetit, sipas të njëjtave rregulla dhe procedura që ndiqen edhe në rastin e transferimit të tij jashtë strukturave të saj, në përputhje me kualifikimin profesional dhe gradën policore”, thuhet në projektligjin final.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here