Nuk ka surpriza në Vlorë në garën brenda PD-së për emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Baza ka konfirmuar 19 emrat që ishin në listë. Në votim morën pjesë 892 nga 1500 anëtarë me të drejtë vote për kandidatët e PD në Vlorë, pra rreth 62%. Mes kandidatëve në Vlorë që është votëbesuar është edhe ish-kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj. Dega e PD në Vlorë në një njoftim të shpërndarë për media theksoi se nga 1500 anëtarë me të drejtë vote morën pjesë në proces vetëm 892. “Përfundon procesi i votimit për konfirmimin e kandidatëve në Degën Vlorë. Mirënjohje të thellë për pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në këtë proces të anëtarëve të Partisë. Mirënjohje për grupin e punës për organizimin e një procesi model. Në përfundim të dhënat e votimit janë si më poshtë: Numri i anëtarëve me të drejtë vote: 1500 anëtarë. Pjesëmarrja në votime: 892 anëtarë ose 59,5 %. Anëtarët konfirmuan kandidatët e mëposhtëm, që vijonë procesin ne fazën tjetër: Alta Haluci, Atird Hoxha, Bujar Leskaj, Edmond Fetahu, Eneida Vera, Eremal Arapi, Fation Veizaj, Hysni Sharra, Ilva Lamaj, Juliana Xhindoli, Kreshnik Alimerko, Liljana Elmazi, Lorenc Danaj, Martin Gega, Nada Daullja, Nadire Meçorapaj, Piro Ahmetaj, Saemira Shaska, Vullnet Karalliu. Procesi i brendshëm përfundoi! Demokratët e Vlorës janë bashkë dhe në aleancë edhe me qytetarët e ndershëm të Vlorës do të mundin të keqen dhe do ti sigurojnë fitoren e thellë Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Prillit 2020”, thuhet në njoftim.
Reagon Bardhi
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i cili monitoroi nga afër procesin e zgjedhjeve në Vlorë, foli për kandidimin e Bujar Leskajt. Në një prononcim për media, Bardhi u shpreh se Leskaj është një emër i njohur dhe me kontribut të lartë në PD dhe si rrjedhim ai theksoi se nuk mund të anashkalohej angazhimi i tij i lartë. Sekretari i Përgjithshëm theksoi se është i kënaqur që do vijojë kontributin e tij në PD. “Sot do të votohet për të konfirmuar apo për të kontestuar kandidatët e mundshëm për deputetë apo ekipin e mundshëm me të cilin ne do t’i drejtohemi qytetarëve të Vlorës, në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit. Unë jam i bindur se me përfundimin e këtij votimi, ne do t’u prezantohemi qytetarëve të Vlorës me ekipin më të mirë për një fitore më të thellë për PD në zgjedhjet e ardhshme. Është hera e parë që parti politike u jep mundësi anëtarëve të saj për të zgjedhur emrat më të mirë, sepse kur dëgjohet zëri i qytetarëve unë kam bindjen që të zgjedhurit do të jenë përfaqësuesit e qytetarëve. Zoti Shehaj ka qenë një ndër emrat e shumë propozuar në Qarkun e Tiranës dhe kjo është arsyeja pse ai do t’i nënshtrohet procesit të konfirmimit në Qarkun e Tiranës. Ndërkohë që zoti Leskaj ka pasur një angazhim prej vitesh në PD, funksionet e tij kushtetuese e larguan për disa vite nga angazhimet politike, mirëpo kontributi i tij në të shkuarën nuk mund të shkoj dëm dhe unë jam i kënaqur që do vijojë të japë kontribut në PD”, tha Bardhi. Bujar Leskaj ka përfaqësuar Vlorën në zgjedhjet e 2005 dhe vijon të gëzojë një mbështetje të madhe nga vlonjatët. Kjo mbështetje pritet të pasqyrohet edhe në zgjedhjet e 25 prillit, ku Leskaj do të jetë një nga deputetët që do të përfaqësojë qytetarët e Vlorës në Kuvend.






































