Një ish-luftëtar i ISIS-it ka zbuluar në emisionin “Shqipëria Live” se si ka shkuar në Siri së bashku me një grup shokësh.
Shqiptari vendosi që të mos e tregonte identitetin e tij për shkak të paragjykimeve. “Ka shumë paragjykime. Jam i papunë”, tha ai.
Ai ka qenë vetëm 24 vjeç në vitin 2013 kur vendosi që të shkonte në Siri. “Në vitin 2013 ishte e vështirë, probleme financiare. Bashkë me një grup shokësh vendosëm që të iknim në Siri. Ishte ideja jonë që të iknim atje, duke parë në internet se ka njerëz që shkonin atje”, tha ai.
Ish-luftëtari i ISIS-it shprehet se nuk ka shkuar për arsye se ka marrë para, por vetëm për arsye humanitare. “Kam qenë dhe jam besimtar mysliman. Në Siri shkuam që t’i qëndronim pranë popullit sirian”, vijoi ai.
Djali tregon se në Siri ka shkuar shumë lehtë nga Turqia. “Shkuam në Turqi pa vizë dhe më pas na kanë ndihmuar një turk dhe një sirian. Nuk morën para, vetëm na treguan rrugën. Shokët e mi kishin kontakte me njerëzit andej, unë jo”, tha ai.
Ish-luftëtari i ISIS-it tregoi se kur ka shkuar në Siri, iu bashkua grupit ku qëndronin shqiptarët. Ai tregoi gjithashtu se pas një muaji qëndrimi atje, ka dashur që të kthehet në Kosovë.
“Kur shkova në Siri, gjëra ishin ndryshe nga si e kisha menduar, prandaj doja të kthehesha në Shqipëri. Aty kam takuar Lavdrim Muhaxherin që i thashë se doja me u kthye. Më tha se më duhej të rrija 3 muaj atje. U ktheva pas 3 muaj në Kosovë, situata vijoi të rëndohej atje”, rrëfeu i riu.
Ai tregoi se vetëm ai është kthyer në Shqipëri nga 6 shokët që shkoi me të. “Gjatë 3 muajve që qëndrova atje bëmë vetëm stërvitje dhe nuk shkuam në luftë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur me shokët më pas, pasi nuk kam folur me to”, vijoi ai.









































