Pak ditë pas takimit me presidentin turk Rexhep Tahip Erdogan, kryeministri Edi Rama ka nisur fshesën ndaj gylenistëve të strehuar në Shqipëri. Disa vite më parë, Turqia ka dorëzuar në Tiranë një listë me emra institucionesh që duhen mbyllur dhe personash që duhet të dëbohen. Qeveria shqiptare ka refuzuar gjithmonë, por pas vizitës së Ramës në Turqi më 14 shtator, diçka ndryshoi. Media turke “Anadolu Agency” ka bërë një lajm mbi disa vendime të qeverisë, në të cilën theksohet se qeveria shqiptare ka mbyllur 3 shkolla, në Korçë, Kavajë dhe Tiranë që financoheshin nga Fetullah Gylen. Në shkrim, media turke shprehet se këto vendime janë marrë gjatë muajit shtator. Por fakti që qeveria ka mbyllur shkollat e para duket se është një sinjal që mund të ketë edhe dëbime të njerëzve. Pak kohë më parë, qeveria dëboi gylenistin Harun Çelik, i cili u ndalua nga autoritetet vendase në Rinas pasi po kalonte transit me pasaportë kanadeze. Pas përfundimit të dënimit, autoritetet vendase e dëbuan nga Shqipëria në Turqi, ku ai ndiqej edhe nga shteti turk. “Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Haz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)” të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri. Qeveria e Shqipërisë ka vendosur edhe mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare “Memorial International School of Tirana (MIST)”, në të gjitha nivelet arsimore që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education”. Vendimet e mara janë me propozimin e ministrit përgjegjës të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe që mbajnë datën 23 shtator për mbylljen e institucionit arsimor parauniversitar privat medreseja “Haz Abdullah Zëmblaku” dhe institucionit arsimor privat fetar, i nivelit të arsimit të mesëm të lartë medreseja “Ali Korça” dhe 16 shtator (MIST) janë publikuar në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë”, thuhet në artikullin e medias turke.
Mbyllja e institucioneve
Më tej, media turke shprehet në artikullin e saj se qeveria duhet t’i pajisë nxënësit që studionin në shkollat gylene me dokumentacion përkatës në mënyrë që ata të vijojnë studimet në një shkollë tjetër. “Përmes Fondacionit “Sema” organizata terroriste FETO në vitet e fundit kishte shtrirë ndikimin e saj në fushën e arsimit në vend, pasi duke i marrë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) apo edhe duke bashkëpunuar me këtë institucion, ka nën administrim disa medrese në vend, përfshirë edhe ato që janë mbyllur me vendim qeverie, ajo e Kavajës dhe Korçës. Sipas informacioneve të publikuara në faqen e internetit të Fondacionit “Sema”, ky fondacion zhvillon veprimtarinë e tij në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe drejton zhvillimin arsimor të shkollave 9-vjeçare, të mesme në Tiranë, medresesë “Liria” në Elbasan, Medresesë “Haz Ali Korça” në Kavajë, medresesë “H. Mahmud Dashi” – Tiranë, dhe Medreseja e “Korçës”. Sipas vendimeve, institucionet arsimore që mbyllen kanë detyrim që të pajisin çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar dhe të kthejnë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj nxënësve”, thuhet në artikullin e medias turke “Anadolu Agency”.







































