Google search engine
Home Aktualitet Shqipëria 7 muaj në pandemi, çfarë ka ndryshuar? Shefi i Urgjencës Skënder...

Shqipëria 7 muaj në pandemi, çfarë ka ndryshuar? Shefi i Urgjencës Skënder Brataj: Ja si trajtohet COVID-19 në shtëpi

0
467

Koronavirusi ndryshoi rendin botëror dhe vetëm dy muaj pas shpërthimit në Wuhan preku dhe Shqipërinë. Nëntë marsi i këtij viti, një ditë pas festës së gruas do të shihte një Shqipëri me rrugë bosh, dhe me ankth e frikë në shtëpi se çfarë do të ndodhte. Ndoshta nuk e mendonim se ato pamje që shihnim nga vendet e tjera do t’i përjetonim edhe ne.

Është e vërtetë që është një problem që kapi gjithë botën jo vetëm Shqipërinë. E gjithë bota u gjet e papërgatitur nga shpejtësia e hapjes së tij dhe pasojat që dha në fillim që edhe u ekzagjerua me thënë të drejtën për efektet apo dëmet që do të jepte. Kjo për arsyet dihet shumë mirë sepse dhe njoftimi i vendeve të tjera dhe i OBSH u bë me vonesë, pasi virusi ishte shpërndarë. Njohuritë ishin ato që ishin për viruset në përgjithësi që qëndrojnë akoma si të dhëna, si data base shkencore që njihen, sepse shkenca nuk gënjen asnjëherë. Për fatin e mirë dhe ne iu mbështetëm gjithmonë njohurive që shkenca kishte deri në atë moment për tu sjellë në mënyrë të përgjithshme ndaj këtij virusi. Impakti në fillim ishte i tmerrshëm për të gjithë, duke përfshirë edhe bluzat e bardha, për arsye se pati një vdekshmëri të lartë në fillim, por sidomos mënyra e përhapjes dhe shpejtësia ishin gjëja kryesore. Derisa ishte në Kinë nuk kishim shumë shqetësime por kur u paraqit në Itali, aty e pamë që nuk ishim të paprekshëm dhe do të mbërrinte dhe në Shqipëri siç mbërriti. Pothuajse të gjitha institucionet, të gjitha levat e një sistemi u vunë në lëvizje për të parë çfarë po ndodhte dhe si do i përgjigjemi”, thotë për tirananews.al shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

Vetëm dy ditë më pas, më 11 mars COVID-19 u shpall pandemi nga OBSH. Në fillimet e tij telefonatat drejt numrit të Urgjencës 127 ishin të panumërta, dhe siç thotë dr. Skënder Brataj shumë thirrje ishin për të kuptuar nëse e kam apo jo virusin, do vdes apo do shpëtoj. “Veç numrit të të sëmurëve një impakt të madh pati nga ana sociale, nga shëndeti mendor si mund të thuash në drejtim të popullsisë. Shumë thirrje ishin më shumë për të kuptuar e kam apo se kam, që po më preku do të vdes apo shpëtojë, si mund të mbrohem dhe kuptohet që muajin e parë nuk kishe nevojë ti thoje njeriu që rri në karantinë sepse askush nuk do të dilte nga frika, tmerri, opinioni dhe media që në atë moment tregonin ato imazhe. Me kalimin e kohës falë studimeve shkencore filluam të kishim njohuri”, vijon ai.

ÇFARË KA NDRYSHUAR NË KËTO 7 MUAJ

Tashmë mund të themi se dhe bluzat e bardha janë më të përgatitura dhe kanë më shumë njohuri rreth koronavirusit të ri, ndërkohë që dhe ne jemi më të vetëdijshëm mbi rrezikshmërinë që ka virusi, me shpresën se dalja nga karantina do të na bëjë më të përgjegjshëm për respektimin e masave.

Në muajt e parë numri i telefonatave në 127 arriti në 9 mijë në ditë, me një mesatare prej rreth 4 mijë në ditë për të gjithë periudhën, ndërsa sot ky numër është reduktuar. “Nga fillimi i pandemisë, nga 9 marsi ne kemi 485 mijë thirrje, me një mesatare 2464, janë rreth 75 mijë e 700 vizita të kryera në banesë nga urgjenca. Thirrjet vetëm për koronavirusin janë 130.429. Në këtë periudhë janë referuar 21.912 persona për tampon. Janë bërë vizita në banesë për të sëmurë me COVID 5056 nga të cilat 2475 janë dërguar në spital, dhe 2581 janë trajtuar në banesë, që do të thotë 51.1 për qind”, na tregon dr. Brataj.

Por teksa numri i thirrjeve në 127 ka rënë, numri i rasteve është rritur, por për shefin e Urgjencës Kombëtare nuk është kështu pasi në fillimet e virusit interpretimi ka qenë vetëm për personat që tamponi u dilte pozitiv, ndërsa sot numërohen dhe ata që janë me COVID dhe pse tamponi u ka dalë negativ.

Nëse e keni vënë re kemi interpretuar gjithmonë numrat në bazë të një muaji më parë, kështu që nuk ka rritje të numrit të të infektuarve është në gjendje stabile për moment, sepse nuk po kalon 150-160 të infektuar në ditë dhe numri i të sëmurëve në spitale nuk po kalon mbi 201. Duke pasur parasysh që raportimi në muajt e parë ka qenë vetëm për personat tampon pozitiv, kur kishte dhe të sëmurë COVID po me tampon negativ, te përkufizimi i rasteve dhe rregullave të atëhershme nuk quhej pacient COVID ai që nuk kishte tamponin pozitiv. Eksperienca na mësoi që tamponi veç falsitetit që ka vet kur e bën, që nuk është 100% i sigurtë varet dhe nga faza e sëmundjes kur ti kryhen këtë lloj analize. E kemi thënë dhe herë tjetër se kur infeksioni ka zbritur në mushkëri dhe ka kaluar të paktën dy javë, nuk e gjen me në gojë apo hundë. Por nuk e përjashtonte mundësinë e infektimit nga COVID. Kurse sot kur themi kaq janë me tampon pozitiv, kaq mendohet të jenë COVID por janë me tampon negativ ky është numri total. Dikur ka qenë më i lartë po ti mblidhje bashkë të gjithë këta lloj pacientësh, ndërsa sot të gjithë bashkë përbëjnë 201 Kjo do të thotë se për fatin e mirë deri tani është menaxhuar me dy skenarët e parë, pavarësisht skenarëve të tjerë që ishin përgatitur, COVID 1 dhe COVID 2”, thotë Brataj, duke shtuar se kjo tregon për numrin që është i reduktuar, tregon për mënyrën e saktë të menaxhimit. Duke rënë numri i thirrjeve thotë ai do të thotë se ka rënë disi infeksioni, virulenca dhe numri i të sëmurëve.

KA NDRYSHUAR GRUPMOSHA E INFEKTIMIT DHE VIRULENCA

Tashmë i jemi kthyer të përditshmes por me një normalitet të ri të respektimit të rregullave dhe masave. Shifrat tregojnë numra të lartë infektimi por për shefin e Urgjencës Kombëtare ato janë rezultat i korrikut dhe gushtit që përkoi me hapjen e vendit, transportit urban, hapjen e lokaleve dhe plazheve.

Në fillim patëm disavantazhin e hapjes së masave, hapja e lokaleve, nisi transporti publik në mesin e korrikut, patëm një periudhë izolimi, një revoltë që donim të dilnim si shoqëri, patëm një refuzim të respektimi të rregullave dhe rritje të kontakteve. Pas 3-4 javësh u duk rezultati i hapjes së masave. Veçoj spostimin e infeksionit nga moshat e treta te adoleshentët, dhe nga adoleshentët te mosha mesatare që janë 45-60 vjeçarët që janë prindërit e adoleshentëve. Ata janë brezi më vital i shoqërisë, më i “papërgjegjshëm” për të kuptuar që janë më të shkujdesur. Kanë dëshirën e madhe për të pasur më shumë hapësirë kënaqësish, kështu që çoi në dërgimin e infektimit në shtëpi dhe kjo u duk dhe me personat e sëmurë në spital, u ul mosha e të infektuarve”, thotë dr. Brataj.

Sot virusi ka pësuar disa mutacione dhe sipas asaj që na shpjegon shefi i Urgjencës në pjesën më të madhe të të infektuarve të sëmurët janë të formës së lehtë. “Nuk po shohim më temperatura 39-40 të pakontrollueshme si në fazën e parë. Koha e zgjatjes së sëmundjes së simptomave është ulur shumë, pothuajse pjesa më e lehte e kanë 3 apo 5 ditë. Shenjat janë më të lehta se më parë, kështu që janë të gjithë faktorë që tregojnë uljen e virulencës.”, thotë ai.

ÇFARË DUHET TË KEMI KUJDES NE SOT

Sigurisht respektimi i masave vijon të jetë prioritet deri sa të dalë një vaksinë. “Një gjë që ndodhi nëse ju kujtohet mes shekullit 20-21 kemi kaluar 3 epidemi nga koronavirusi, SARS, MERS dhe SARS COV-2, midis tyre ishte dhe Ebola, u izoluan në kohë dhe nuk patën mundësi të përhapej në gjithë botën. E thamë në fillim që njoftimi mbi këtë virus u bë shumë me vonesë. Për fat të mirë nuk ka rritje të vdekshmërisë në rang botëror. Kjo lidhet me faktin e kushteve ambientale, aty ku ka ardhur dimri infeksioni është më i madh, siç e kaluan vendet e Amerikës Latine dhe Australia vetë. Do të thotë se virusi do të xhirojë për disa kohë dhe kjo falë gabimit njerëzor që u bë që në fillim për mosizolimin e menjëhershëm”, thotë z. Brataj i cili shpjegon se Komiteti Teknik i Ekspertëve i ka gati dhe skenaret për në vjeshtë-dimër, ku siç e përmendi rastet pritet të shtohen. Megjithatë dr. Brataj e përjashton mundësinë e një karantine të dytë. Gjithashtu do të shihet dhe sjellja që do të ketë koronavirusi i ri me viruset e stinës teksa hyjmë në sezonin e dimrit.

“NUK MË BËJNË TAMPONIN”, TRAJTIMI NË SHTËPI KUSHTON SHUMË

Shumë persona shprehen se teksa i kanë telefonuar Urgjencës Kombëtare për simptomat që kanë pasur atyre nuk u është bërë tampon. Z. Brataj thotë se njerëzit që përgjigjen në telefon janë njerëz e personel mjekësor që janë trajnuar për këtë punë. Ai thotë se 127 është si të thuash “pritësi” i parë i rasteve të cilat më pas i referon në ISHP. Më pas është epidemiologu që vendos nëse personi duhet të bëjë apo jo tamponin, që vendos kontaktet me pacientin e që më pas ndiqet në hapat e tjera.

Mjaft persona që kanë kaluar koronavirusin në shtëpi janë shprehur se është i papërballueshëm teksa vlera e trajtimit, që nga analizat e deri tek ilaçet që duhen marrë shkon në shifrën e 1 milionë lekëve të vjetra. Shefi i Urgjencës Kombëtare thotë se nuk ka pse të shkojë kaq shtrenjtë trajtimi, duke thënë se nuk ka pse të jepen injeksione për trajtimin në kushte shtëpie. Sipas tij, injeksionet në kushte shtëpie mund të bëhen larg qoftë, në rast se spitalet do të jenë të tejmbushur. “Nuk e di interesat që mund të jenë që jepet një trajtim i kushtueshëm në shtëpi. Flasim për rastet e simptomave të lehta dhe të moderuara që trajtohen në shtëpi. E kam thënë dhe herë të tjera, tachipirine dhe vitaminë C në momentin që shfaqen simptomat dhe dy tre ditë më pas azitromicinë. E theksoj dhe e kam theksuar dhe më parë, mos merrni antibiotikun që në fillim. A e dini pse jepet antibiotiku? Sigurisht që nuk jepet për virusin, por për shkak të gjendjes shëndetësore parandalon ndonjë infeksion të mundshëm bakterial që mund të pasojë”, thotë dr. Brataj.

A ËSHTË PENDUAR SKËNDER BRATAJ QË LA ITALINË PËR SHQIPËRINË?

Dr. Skënder Brataj është larguar nga Shqipëria në 1992 për në Itali. Ai na thotë se ka qenë brezi i parë i mjekëve të cilët i nxorën në asistencë dhe u detyrua të emigrojë ku dhe kreu studimet e tjera. Nuk jam penduar që jam kthyer thotë ai, ndërkohë që shton se gjithmonë ka dashur të japë kontributin e vet në vendin e tij. E nisi nga Vlora me trajnime për Urgjencën, që më pas vijoi në të gjithë Shqipërinë falë dhe mbështetjes së shumë kolegëve të tij. Teksa flet për pasionin që e karakterizon për këtë profesion thotë se tashmë në krye të Urgjencës Kombëtare është kujdesur që ky sektor të jetë modern duke nisur që nga teknologjia, falë së cilës thotë Brataj sot mundim të përballojmë fluksin e telefonatave dhe modernizimin e shërbimit të urgjencës me flotën e mjeteve.

Do ta këshilloja fortë që në Shqipëri të hapet modeli i bashkëpunimit përmes konsulencave nëse do të duan të vijnë shqiptarët, specialistët që i pamë në periudhën e pandemisë se sa mjekë kishim nëpër botë, dhe sa të pozicionuar ishin dhe sa të përgatitur ishin”, thotë dr. Brataj./ tirananews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here