Me rastin e 113-vjetorit të lindjes së Mitrush Kutelit, një prej zërave më të rëndësishëm të prozës shqipe, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një mbrëmje kushtuar veprës së tij, në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar. Të pranishëm ishin studiues, profesorë, njohës të mirë të veprës së tij, të cilët u ndalën më shumë në rëndësinë e veprës së tij por dhe kujtime mbi ndjesinë që lënë leximet e veprave të tij. Të pranishëm në aktivitet ishin dhe vajzat e shkrimtarit. Shefe e Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës Persida Asllani tha se Mitrush Kuteli studiohet në këndvështrime të shumta dhe metodologji të shumta. “Te Kuteli shohim një përballje të jashtëzakonshme mes dashurisë tokësore dhe asaj hyjnore, përballje që shkon deri në nivelet e mistikes dhe të një sprove të rrallë në letërsinë shqipe që është shkrimi metafizik”, u shpreh Persida Asllani, shefe e Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë aktivitetit u prezantua dhe libri më i ri i shkrimtarit “Vargje të përzjera”, një libër që vetë Kuteli kishte nisur ta përgatiste vite më parë, por për rrethana të kohës mbeti i pabotuar. Alda Bardhyli drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit tha se me këtë botim pasurohet biblioteka e veprave të Mitrush Kutelit. “Ky libër vjen dhe pasuron sot bibliotekën e veprave të Kutelit, duke njohur më thellë poetin brenda tij”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL. E pranishme në këtë aktivitet vajza e shkrimtarit Atalanta Pasko, u shpreh se titulli është i zgjedhur nga vetë Kuteli, për atë përmbledhje që kishte bërë gati për ta botuar atëherë kur i kishin kërkuar një përmbledhje të poezive nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. “Vepra nuk u botua atëherë, sepse ndërhyrjet që i kërkonin redaktorët ishin të tilla që shkonin deri në bashkëpunim. Kështu që ai nuk mund të pranonte dhe u tërhoq. U botua një përmbledhje pas shumë vitesh, që ndërroi jetë Kuteli dhe ne më në fund e botuam të plotë. Aty janë që nga Poemi Kosovar deri tek vargje të shkruara, që ai i kishte shënuar në fleta gazetash. Të gjitha janë aty brenda”, u shpreh Atalanta. Studiuesi Primo Shllaku në fjalën e tij e vuri theksin te gjuha e Kutelit dhe Kuteli si përkthyes. “Unë mbaj mend mahnitjen e madhe që kam pësuar nga përkthimet e tij të Zhyl Vernit. Kur më vonë arrita të lexoj ato libra në origjinal, prap unë mbeta skllav i tekstit të Dhimitër Paskos”, u shpreh Shllaku. Për veprën e shkrimtarit folën dhe studiuesit Kristaq Jorgo, Behar Gjoka, etj.