Taulant Xhaka gjatë gjithë karrierës së tij ka luajtur me Bazelin, ku ka arritur të fitojë gjithçka në arenën kombëtare dhe ka arritur suksese edhe në Champions League dhe Europa League. Këtë verë diskutohej largimi i mesfushorit, me Fenerbahçen e Beshiktashin, që donin shërbimet e tij.
Megjithatë, duket se Xhaka është rehatuar më shumë se ç’duhet te Bazeli dhe nuk ka ndërmend ta lërë atë klub dhe atë qytet. Sot janë shuar totalisht shpresat për një largim të tij sepse klubi gjigant zviceran ka lajmëruar se ka arritur marrëveshjen për rinovimin e Xhakës deri në verën e vitit 2024.
29-vjeçari është fitues i gjashtë titujve kampion me Bazelin dhe katër Kupave. Palmaresi i tij pritet të pasurohet ende, pasi ai do jetë i veshur me fanellën e Bazelit deri në moshën 33-vjeçare, për të parë më pas nëse do e lërë futbollin aty, apo do provojë një eksperiencë tjetër, si të fundit si profesionist.