Pas marrëveshjes Serbi-Kosovë fshihen të tjera qëllime në favor të Amerikës. Kështu ka deklaruar dje avokati Spartak Ngjela, ku përmes një postimi në rrjetin social facebook ai tha se pakti midis dy vendeve fqinje u bë sipas direktivave të Amerikës dhe se ata ishin përfituesit kryesorë. Sipas tij, palët e nënshkruan marrëveshjen të detyruar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump. Në këtë postim Ngjela thekson se palët kanë pasur edhe presin me karakter politik edhe pse thelbi kryesor, njohja e Kosovës nuk është arritur. “Në fakt duhet pranuar se në 4 shtator 2020, në Uashington, u luajt një politikë e madhe nga presidenti amerikan Trump. Cila ishte kjo politikë? Politika Trump e 4 shtatorit pati dy aspekte që ai vetë i lidhi me njëri-tjetrin. Aspekti i parë ishte marrëveshja Kosovë-Serbi. Dhe kuptohej që Trump e kishte shumë në favor si akt ndërkombëtar njohjen e Kosovës nga Serbia, në funksion të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Në lidhje me këtë, të dy palëve bashkëbiseduese iu vuri përpara marrëveshjen që duhet të nënshkruhej prej tyre, madje edhe me një forcë të karakterit politik, duke thënë: pala që nuk e firmos këtë marrëveshje do të këtë sanksione amerikane”, shkruan ai. Por nuk mbaron me kaq, sipas avokatit, Trumpi detyroi Serbinë të godasë rëndë edhe miken e saj Rusinë përmes paktit të 4 shtatorit. Ndër të tjera ai evidenton se, Trump duke shfaqur hakmarrje ndaj Serbisë nëse nuk pranonte pikat e paraqitura nga ajo, e detyroi këtë të fundit të bënte veprimin që i krijon armiqësi me Rusinë. Njohja e Jeruzalemit është veprim i Serbisë, me urdhër të Trump, që prek interesat ushtarake dhe politike të Rusisë. “Pikërisht këtu gjithçka kthehet në një motiv qesharak: terrorizmi serb dhe gjendja e tij në majë të shkatërrimit, do të merrte një goditje ruse. Prandaj pritet që Vuçiç të heqë dorë nga akti i tij Jeruzalem. Serbia u detyrua me dhunë të pranonte se do ta transferonte ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem. Si do të dalë tani Vuçiç përpara politikës ruse? Për politikën ruse, ky akt është shumë i rëndë, sepse të gjithë reaksionin anti-perëndimor të arabëve, Rusia ka mëse pesëdhjetë vjet që po e luan. Gjithçka terroriste anti-Perëndim që vjen nga Lindja e Mesme, është dorë e politikës ruse; me pretekstin arab të armiqësisë terribile arabe me shtetin pushtues të Izraelit. Kurse befas Serbia, djali i madh i Rusisë, shkon e njeh si kryeqytet të Izraelit, Jeruzalemin; domethënë Serbia, befas, pranoi të ashtuquajturin pushtim të Jeruzalemit nga Izraeli. Por, çfarë pritet të ndodhë me pasojën e këtij akti në politikën ruso-serbe”, thekson Ngjela.


































